26 Mars 2018

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, takim me misionin e Bankës Botërore

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi priti në një takim përfaqësues të misionit të Bankës Botërore gjatë vizitës së tyre në vendin tonë.

Në këtë takim u diskutua në lidhje me ecurinë e projektit për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së me fokus tregun e kapitaleve, i financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), me asistencën e Bankës Botërore.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së i njohu përfaqësuesit e Bankës Botërore me punën e zhvilluar në lidhje me projektligjin për titujt dhe atë për fondet e investimit, si edhe miratimin e disa rregulloreve për një mbikëqyrje sa më efektive të tregut të kapitaleve dhe mbrojtjen e investitorëve.

Z. Koçi i falenderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të Autoritetit në kuadër të kualifikimit profesional dhe zhvillimit të kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Bankës Botërore u shprehën shumë të kënaqur me ecurinë e projektit dhe rezultatet e arritura deri tani për rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse. Gjithashtu, palët diskutuan mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit përmes një projekti të ri për zhvillimin e tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.