27 Mars 2018

INVESTITORË KUJDES: Ndaj aktivitetit të shoqërisë me emrin FXLider

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) paralajmëron investitorët për rrezikun ndaj shërbimeve të shoqërisë që operon me emrin FXLider nëpërmjet adresës së internetit https://www.fxlider.com.

Mbështetur në Ligjin nr. 9879 datë 21.2.2008 “Për Titujt” dhe Vendimin nr. 55 datë 30.03.2011 “Për njohjen e veprimtarisë së agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë”, një shoqëri brokerimi e huaj lejohet të ofrojë shërbimet e saj në vendin tonë, përmes një “agjenti” të themeluar si shoqëri brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pas miratimit nga AMF.

FXLider që operon në adresën https://www.fxlider.com nuk është i licencuar nga Autoriteti për të operuar si agjent për të ofruar shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë.

Për këtë arsye, AMF i bën thirrje investitorëve të bëjnë shumë kujdes përpara se të marrin një vendim në lidhje me pranimin e një oferte të kryer nëpërmjet telefonatave ose mjeteve të tjera të komunikimit për t’i nxitur ata të regjistrohen ose hapin llogari nëpërmjet faqes së internetit https://www.fxlider.com, pasi Autoriteti nuk monitoron ligjshmërinë e aktivitetit të FXLider dhe nuk mund të jetë në mbrojtjen e interesave të investitorëve, që investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara.

Autoriteti tërheq vëmendjen se çdo komunikim, nëpërmjet telefonit, email-it, apo mjeteve të tjera, që përfaqëson një ftesë ose marketing për të investuar nëpërmjet https://www.fxlider.com, është i jashtëligjshëm dhe u lutet investitorëve të denoncojnë pranë Policisë së Shtetit apo organeve të tjera ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë, në rast se kontaktohen nga kjo shoqëri.

Lista e shoqërive të licencuara nga AMF për ofrimin e shërbimeve për  investime mund të gjenden në faqen zyrtare të AMF-së në linkun e mëposhtëm: http://amf.gov.al/tt_agjent.asp

Autoriteti, njëkohësisht po komunikon me të gjitha institucionet e tjera ligjzbatuese për të ndaluar aktivitetin e kësaj shoqërie.