12 Prill 2018

ESMA vendos ndalimin e Opsioneve Binare si dhe kufizimin e Kontratave për Diferencë (CFD), me qëllim mbrojtjen e investitorit

Me qëllim mbrojtjen e investitorit individual në Bashkimin Evropian, Autoriteti Evropian i Titujve dhe i Tregjeve (ESMA) vendosi marrjen e masave lidhur me Kontratat për Diferencë dhe Opsionet Binare.
Masat e marra përfshijnë edhe ndalimin e marketingut, shpërndarjes apo shitjes së opsioneve binare tek investitori individual si dhe kufizimin e marketingut, shpërndarjes apo shitjeve të Kontratave për Diferencë tek investitori individual.
Shkak për marrjen e këtyre masave ishte kompleksiteti i këtyre produkteve, mungesa e transparencës, karakteristikat e veçanta të Kontratave për Diferencë dhe Opsioneve Binare, leva e lartë e tyre, kthimi negativ i pritur, rreziku i lartë humbjes, apo edhe konflikti i interesit që mund të shfaqet midis ofruesve të këtyre instrumenteve financiare dhe klientëve të tyre.
Masat e marra për ndalimin e Opsioneve Binare do të fillojnë aplikimin e tyre një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, ndërsa ato për kufizimin e Kontratave për Diferencë do të gjejnë zbatim dy muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Për të lexuar njoftimin e plotë të ESMA-s, klikoni linkun më poshtë https://www.esma.europa.eu/sites/default/files/library/esma71-98-128_press_release_product_intervention.pdf