14 Maj 2018

Prezantohet Strategjia “Për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje 2018-2022”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prezantoi sot, më 14 maj 2018 Strategjinë 5-vjeçare të zhvillimit të AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje për periudhën 2018-2022. Ai është një dokument i rëndësishëm që harmonizon së bashku axhendën e integrimit në Bashkimin Evropian, me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të vendit dhe objektivat financiarë të rritjes së Autoritetit.

Në prezantimin e strategjisë merrnin pjesë drejtues të lartë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Zv/Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Znj. Natasha Ahmetaj, përfaqësues të shoqatave dhe drejtuesit ekzekutivë të kompanive të tregjeve nën mbikëqyrjen e AMF-së. 

Duke prezantuar Strategjinë, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Ervin Koçi theksoi se “AMF synon që implementimi i kësaj strategjie të nxisë zhvillimin e një tregu konkurrent dhe efiçent, duke krijuar njëkohësisht stabilitet afatgjatë si dhe duke i dhënë mundësi krijimit dhe zhvillimit të produkteve inovative. Autoriteti është i bindur se zbatimi i kësaj strategjie, e shoqëruar çdo vit me prioritete të qarta e me një plan konkret veprimi, do të transformojë tregjet financiare që ne mbikëqyrim duke i kthyer në promotor të zhvillimit ekonomik të vendit si dhe autoritetin në një model pozitiv të funksionimit të një mbikëqyrje efektive.”  

Ndërsa Kryetari i Bordit të AMF-së, Z. Pajtim Melani duke vlerësuar me shifra arritjet e deritanishme, theksoi hapjen e të parës Bursë me kapital privat si një ndër arritjet më të spikatura të vitit të kaluar. Ai deklaroi se AMF do ta shoqërojë hartimin e kësaj strategjie me një plan konkret veprimi për të arritur objektivat e vendosura.

Strategjia ka tre pjesë përbërëse që janë: (i) identiteti i AMF-së, (ii) boshtet e zhvillimeve strategjike sipas tregjeve; dhe (iii) infrastruktura ligjore.

Për secilën nga këto pjesë përbërëse, Strategjia analizon situatën aktuale dhe vendos objektiva për t’u realizuar për të ardhmen. AMF synon t’i arrijë objektivat kryesore të zhvillimit duke vendosur gjithë potencialin e saj mbikëqyrës e rregullator drejt punës për krijimin dhe forcimin e tregjeve financiare jobankare që ato:

  • Të shkojnë drejt niveleve evropiane, si tregje financiare të sigurta dhe transparente;
  • Të rrisin besimin e konsumatorit;
  • Të rrisin rolin si financues të ekonomisë kombëtare.


Strategjia e detajuar është shumë më voluminoze dhe përmban 72 rekomandime që janë kthyer në 72 prioritete, objekt i punës së përbashkët në 5 vitet e ardhshme. Për disa specifikime më shumë për tregjet dhe strategjinë, në aktivitet bënë prezantimet e tyre edhe drejtuesit e departamenteve të mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve dhe tregut të kapitaleve dhe fondeve.   

Për të lexuar fjalën e plotë të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së, Z. Ervin Koçi, lutem klikoni këtu