21 Janar 2015

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së takohet me drejtues të shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës për projektet e vitit 2015

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, zhvilloi më datë 20 janar 2015 një takim me Drejtorët e Përgjithshëm të shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës. Gjatë takimit Znj. Shehi bëri një pasqyrë të realizimeve të vitit 2014, problematikave të hasura dhe sfidave të zhvillimit në tregun e sigurimeve.

Znj. Shehi kërkoi angazhim maksimal nga shoqëritë e sigurimit, për përmbushjen e disa objektivave të rëndësishëm, që do të jenë në fokusin e AMF-së, si në vijim:

  • Zbatimi në vazhdimësi i masave për stabilizimin e tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik: fondi i kompensimit dhe rezerva monetare;
  • Hartimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit dhe dërgimi i tij në Qeveri;
  • Zbatimi i ligjit të ri për veprimtarinë e sigurimeve dhe risigurimeve, si dhe plotësimit të kuadrit rregullator që AMF po përgatit në zbatim të këtij ligji;
  • Përmirësimi i shërbimit ndaj klientëve. Respektimi i afateve në trajtimin e dëmshpërblimit, kontrata cilësore dhe transparente;
  • Përmirësimi i cilësisë së agjenteve në sigurime - hartimi i një kodi etike për ndërmjetësit, standarde profesionale pune dhe shërbimi;
  • Zgjerimi i tregut me produkte të reja të sigurimit.

Në përfundim të takimit, Znj. Shehi theksoi rëndësinë dhe vëmendjen që AMF do t’i kushtojë gjatë vitit 2015, zbatimit të mbikëqyrjes me fokus rrezikun dhe kërkoi angazhim serioz nga shoqëritë për ndërtimin e sistemit të efektshëm të administrimit të rrezikut.

AMF, në zbatim të metodologjisë së re, po harton një rregullore me parimet e ndërtimit të sistemit të administrimit të rrezikut, e cila do t’i përcillet shumë shpejt industrisë për mendim.

Në përfundim, përfaqësues nga industria ngritën një sërë çështjesh që kërkojnë mbështetjen e AMF-së dhe vëmendjen e të gjithë aktorëve dhe institucioneve përgjegjëse. Disa nga këto çështje janë: monitorimi i zbatimit të pajisjes me sigurim të detyrueshëm të mjeteve të transportit publik, problematika në lidhje me unifikimin e limiteve të përgjegjësisë për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik për mjetet shqiptare që qarkullojnë në territorin e Kosovës,lehtësimi i procedurave për pajisjen me Karton Jeshil në kufirin me Malin e Zi, kalendari i pagesave të detyrimit të fondit të kompensimit në dy vitet e ardhme, etj.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]