23 Janar 2015

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për vitin 2014

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2014 kapën vlerën mbi 11,624 milionë lekë, ose 36.19% më shumë se në vitin 2013. Gjatë vitit 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,031,463 me një rritje prej 3.58% krahasuar me një vit më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 8.83% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.23%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.34% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.66% të totalit të tregut.

Gjatë vitit 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,838 milionë lekë, ose 5.31% më shumë se viti 2013.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2014 arritën mbi 6,920 milionë lekë, ose 78.99% më shumë se viti 2013.

Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2014, pati një rritje prej 88.85% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 9.65% krahasuar me vitin 2013.

Produkti Sigurim Kufitar në vitin 2014 pati një rritje prej 50.35% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 1.30% krahasuar me vitin 2013.

Produkti Karton Jeshil, në vitin 2014, pati një rritje me 57.39% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 1.24%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2014 arritën rreth 4,678 milionë lekë, ose 1.34% më shumë se në vitin 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 1.35% krahasuar me një vit më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë vitit 2014, patën ulje me 0.13% kundrejt vitit 2013.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë vitit 2014 siguruan rreth 2,284 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 71.65%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 16.68% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë vitit 2014, vihet re një rritje prej 25.19% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.58% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2013.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë vitit 2014, arritën në rreth 807 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 20.63% në krahasim me vitin 2013.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2014, arritën rreth 1,027 milionë lekë, ose 6.93% më shumë se vitin e kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2014 u rrit me 5.31% krahasuar me vitin 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me mbi 2,300 milionë lekë, apo 81.01% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për vitin 2014, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për vitin 2014 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.