8 Prill 2015

AMF organizon workshop të përbashkët me përfaqësues nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursës së Maqedonisë

Në datën 8 prill 2015 Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi workshopin “Mbikëqyrja dhe rregullimi i tregjeve të letrave me vlerë dhe fondeve të investimeve në Shqipëri" me përfaqësues nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursës së Maqedonisë, të cilët ndodhen për një vizitë pune në Tiranë. Ekipi nga Maqedonia kryesohej nga Znj. Elizabeta Chingarovska, Presidente e këtij institucioni.

Duke përshëndetur workshopin, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, bëri një përshkrim të shkurtër të tregjeve që AMF mbikëqyr dhe peshës që ato zënë në tregun financiar të vendit. Duke u ndalur më specifikisht tek fondet e investimeve, Znj. Shehi nënvizoi zgjerimin e madh që fondet e investimeve kanë marrë në Shqipëri në një periudhë të shkurtër që nga viti 2012 kur filloi aktivitetin i pari fond i investimeve në vend.

Gjatë workshopit, ekspertë të AMF-së prezantuan ecurinë dhe zhvillimet në tregun e letrave me vlerë dhe fondeve të investimeve në Shqipëri. Përmes shifrave u prezantua ecuria e fondeve të investimeve, totali i aseteve të të cilave në fund të vitit 2014 zinte 4.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një rritje të madhe krahasuar me vitin 2012 kur fondet e investimeve filluan për herë të parë aktivitetin dhe asetet e tyre zinin vetëm 1.2% në totalin e PBB.

Gjatë workshopit, ekspertë të AMF-së prezantuan rëndësinë që ka tregu i kapitaleve në ekonominë shqiptare nëpërmjet rritjes në mënyrë më të shpejtë të investimeve të brendshme, përmirësimit të alokimit të fondeve e cila çon në një rritje më të shpejtë ekonomike të vendit, diversifikimit të mundësive për investime dhe likuiditete, përmirësimit të disiplinës koorporative dhe mirëqeverisjes. Ndër çështjet e tjera që u trajtuan lidhur me zhvillimin e tregut të kapitaleve ishin: 

-    Kuadri i plotë ligjor që rregullon dhe mbikëqyr tregun e letrave me vlerë dhe fondeve të investimeve;
-    Infrastruktura këtij tregu dhe roli i AMF-së në mbikëqyrjen dhe rregullimin e tij;
-    Platforma elektronike online e AMF-së për tregun me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë;
-    Ecuria e Shqipërisë në procesin e Stabilizim-Asociimit për tregjet financiare nën mbikëqyrjes e AMF-së;
-    Direktivat evropiane që rregullojnë tregun e kapitaleve, sfidat e përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e tyre;
-    Rëndësia e zhvillimit të Bursës së Tiranës;
-    Zhvillimet e fundit në drejtim të rritjes së pavarësisë së Autoritetit dhe forcimit të rolit të tij në tregjet financiare.

Një këndvështrim të ndryshëm solli edhe prezantimi i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të “Raiffeisen Invest” Z. Resmi Hibraj, i cili prezantoi ecurinë në vite të dy fondeve, Fondit të Investimeve “Raiffeisen Prestigj” dhe Fondit të Investimeve “Raiffeisen Invest Euro” të cilët kanë arritur rreth 33 mijë anëtarë.

Gjatë workshopit u këmbyen mendime edhe për zhvillime për të cilat vendet mund të shkëmbejnë eksperienca siç është rasti i Bursës së Maqedonisë e cila është ngritur që në vitin 1996 dhe ka të listuar rreth 150 kompani. 

AMF dhe Komisioni i Letrave me Vlerë i Bursës së Maqedonisë kanë që prej vitit 2005 një marrëveshje bashkëpunimi e cila u shërben të dy institucioneve. Si Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Shehi, ashtu edhe Presidentja e Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Bursës së Maqedonisë, Znj. Chingarovska e vlerësuan këtë vizitë dhe workshopin mjaft të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]