24 Prill 2015

Zhvillimet e Tregut me Pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë për periudhën janar-mars 2015

Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-mars 2015 përbëhej nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) në masën 55.55% dhe pjesa tjetër prej 44.45% ishin transaksionet në instrumente afatgjatë (obligacione). Përsa i takon numrit të transaksioneve, 71.52% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.

Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-mars 2015 flasin për një dominim të transaksioneve "Blerje në tregun primar" dhe "Shlyerje e vlerës nominale në maturim" përkatësisht me 69.32% dhe 17.62% kundrejt volumit të përgjithshëm.

Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 95.93% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

Dy grupet e transaksioneve B dhe C

Transaksioni i llojit B "Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar" gjatë periudhës janar-mars 2015, ka pasur një ulje prej 369 milionë lekë, ose 23.11% krahasuar me janar-mars 2014. Po kështu është ulur  edhe numri i transaksioneve, në masën 36.17%.

Transaksioni i llojit C "Blerje para afatit të maturimit" gjatë periudhës janar-mars 2015 ka pasur një rritje prej 194 milionë lekë, ose 37.85% krahasuar me janar-mars 2014. Kjo është shoqëruar edhe nga rritja e numrit të transaksioneve, në masën 14.15%.

Krahasuar me janar-mars 2014, vihet re një ulje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 175 milionë lekë.

Për të lexuar materialin e plotë të Tregut me Pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë, për periudhën janar-mars 2015 (në versionin EXCEL), ju lutem klikoni këtu.