Vizitë e Kryetares së AMF-së në Kosovë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me BQK-në
Me ftesë të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Z. Hashim Rexhepi, një ekip i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë (AMF) i kryesuar nga Kryetarja, Zj. Elisabeta Gjoni, kreu një vizitë dy ditore në Kosovë në datat 20 dhe 21 Nëntor 2008. Qëllimi kryesor i vizitës ishte nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe të mirëkuptimit në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes të sektorëve financiare jobankarë në të dy vendet.
- Takim i Zj. Elisabeta Gjoni me Ministrin e Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës
Në fillim të vizitës në Kosovë, në datën 20 Nëntor 2008, Kryetarja Elisabeta Gjoni dhe ekipi i AMF-së u prit nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës, Z. Ahmet Shala dhe përfaqësues të tjerë të lartë të kësaj Ministrie.
Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme të zhvillimit ekonomik në tërësi dhe sektorit financiar jo bankar në veçanti.
Një vend të veçantë në takim zuri tema aktuale e krizës financiare botërore dhe rëndësia e bashkëpunimit në evidentimin e problematikave, shkëmbimin e informacionit dhe zgjidhjen e problemeve.
- Takime me Guvernatorin Rexhepi dhe përfaqësues të tjerë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës
Takimet e Kryetares Gjoni dhe ekipit të AMF-së me përfaqësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës u zhvilluan në datat 20 dhe 21 Nëntor. Nga BQK ishin të pranishëm Guvernatori Hashim Rexhepi, Kryetari i Bordit Gazmend Luboteni, Zëvendës Guvernatorët dhe përfaqësues tjerë të lartë të këtij institucioni. Bisedimet prekën çështje të rëndësishme të zhvillimit të sektorëve të sigurimeve, pensioneve dhe letrave me vlerë, dhe u ndalën në rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh.
Guvernatori Rexhepi bëri një përmbledhje të gjendjes së tregjeve financiare në Kosovë dhe rolin që luan BQK-ja në rregullimin dhe mbikëqyrjen e tyre. Ligji i ri i miratuar nga Parlamenti për Bankën Qendrore të Kosovës përcakton qartë funksionet dhe rolin e këtij institucioni, si edhe rregullat themelore për operatorët në manaxhimin e qeverisjes dhe mbajtjen e parametrave financiarë e teknikë. Banka Qendrore e Kosovës po bashkëpunon ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore në realizimin e një sërë projektesh ambicioze që përfshijnë përmirësimin e kuadrit ligjor, metodologjitë moderne të mbikëqyrjes dhe informatizimin e proceseve në rregullimin e tregut financiar jobankar.
Nga ana e saj, Kryetarja Gjoni, pasi shprehu konsideratat për zhvillimet inkurajuese në ekonominë Kosovare dhe në rregullimin e tregut financiar në veçanti, njohu pjesëmarrësit në takim me zhvillimet më të fundit të tregjeve në Shqipëri dhe punën e AMF-së për rishikimin e legjislacionit që rregullon sektorët e mbikëqyrur, përfshirjen e elementëve të rrezikut në metodologjinë e mbikëqyrjes dhe ngritjen e platformave elektronike mbështetëse.
Të dy përfaqësuesit i vunë theksin rëndësisë së madhe të bashkëpunimit në zhvillimin e shëndoshë të tregjeve financiare jobankare. Kufijtë midis dy tregjeve nuk ekzistojnë dhe kjo shprehet më së miri në investimet e ndërsjellta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Për këtë arsye është e domosdoshme të përcillen në mënyrë të ndërsjelltë përvojat, të njësohen praktikat më të mira rregullative dhe të forcohen urat e bashkëpunimit në mbikëqyrjen e tregjeve. Marrëveshja e mirëkuptimit e pranuar nga palët është shprehja më e mirë e vullnetit dypalësh për bashkëpunim.
Gjatë vizitës, specialistë të AMF-së zhvilluan takime të veçanta me homologët e tyre të BQK-së për të shkëmbyer përvojën në çështje të sistemit të pensioneve private dhe probleme të funksionimit të sistemeve të informatizuar të policave dhe dëmeve në sigurimet e detyrueshme motorrike.
- Takim me Shoqatën e Siguruesve të Kosovës
Ekipi i AMF-së zhvilloi një takim me Shoqatën e Siguruesve të Kosovës në datën 21 nëntor 2008. Në takimin e organizuar nga Kryetari të Shoqatës, Z. Arben Mikeli, morën pjesë përfaqësues të Shoqatës dhe drejtues të të gjithë shoqërive të sigurimit në Kosovë.
Diskutimet u ndalën në zhvillimin e sektorit në të dy vendet, problemet e zhvillimit dhe rëndësinë e komunikimit dhe shkëmbimin e përvojës. Zj. Gjoni vlerësoi rolin e Shoqatës së siguruesve në Kosovë dhe frymën e bashkëpunimit midis anëtarëve në trajtimin e çështjeve të ndryshme dhe zgjidhjen e problemeve.
- Vizitë përkujtimore në Prekaz
Në përfundim të vizitës në Kosovë, Zj Elisabeta Gjoni dhe ekipi i AMF-së të shoqëruar nga përfaqësues të BQK-së kryen një vizitë në Prekaz, për të nderuar kujtimin e heroit Adem Jashari dhe familjes së tij.