25 Nentor 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Periudhën Janar - Tetor 2008

Në periudhën Janar - Tetor 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 571,082, duke shënuar një rritje prej rreth 24.95% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 5,978 milionë lekë, shifër kjo 20.34% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92.85% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7.15 %.

Sigurimi i Detyrueshëm

  • Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 56.05 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 janë rreth 2,294 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 5.68% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen prej 7.30% të numrit të kontratave.
  • Në periudhën Janar - Tetor  2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të kartonit jeshil arritën rreth 784 milionë lekë, ose 15.77% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 13.98 % krahasuar me të njëjtën periudhë.
  • Sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 36.74% në krahasim me periudhën Janar - Tetor 2007. Në të njëjtën kohë numri i kontratave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 8.05%. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 273 milionë lekë. Efekti vjen nga ulja e tarifave të shitjes  të këtij lloj sigurimi sipas Urdhërit nr. 70 datë, 20.07.2007 të Ministrit të Financave.

Sigurimi Vullnetar

Në Janar - Tetor 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 2,627 milionë lekë me një rritje prej 55.61% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 52.05% rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 61.47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,538 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 47.05% të pasuara nga sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 36.04% dhe sigurimi i garancisë me 9.71%.

Në 10-mujorin e këtij viti sigurimet e përgjegjësisë kanë dinamikën më të lartë të rritjes dhe ndikimin kryesor në rritjen e tregut për këtë periudhë. Rritja e këtij portofoli me rreth 163% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, vazhdon të reflektojë ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje prej 196% në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave rritja është 31.05%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinierike.

Në portofolin zjarri dhe rreziqet shtesë ndihet një rritje prej 28.84 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 26.15% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 10-mujorin e vitit 2008, arritën në rreth 246 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 55.08% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 84.87% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet me numrin në rritje të personave që udhëtojnë jashtë vendit.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 427 milionë lekë me një rritje prej 31.13% krahasuar me Janar - Tetor  2007.

Peshën më të madhe prej rreth 73.17% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti jetë debitori. Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e Paguara Bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në dhjetëmujorin e vitit 2008 ishte rreth 1,260 milionë lekë, ose 14.60 % më shumë se në Janar - Tetor të vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 989 milionë lekë, apo 78.51% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Kasko dhe Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

                                                            Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

81

95

Karton Jeshil

704

777

Kasko

78

89

Për çdo të interesuar, Raporti Statistikor Janar - Tetor 2008 përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - tetor 2008 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - tetor 2008 (në versionin PDF) klikoni këtu