24 Qershor 2015

Zhvillohet Konferenca e 40-të Vjetore e IOSCO-s

Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (International Organization of Securities Commissions, IOSCO) zhvilloi në 14-18 qershor 2015 në Londër, Konferencën e 40-të Vjetore. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, është anëtar me të drejta të plota në këtë organizatë.

Tema e Konferencës Vjetore ishte “Ndërtimi i një botë të re financiare”. Ajo u fokusua në standardet e sjelljes, në risitë financiare dhe sfidat me të cilat përballen sot rregullatorët financiarë dhe industria.

Kryetari i Bordit të IOSCO-s, Greg Medcraft theksoi ndër të tjera se “Axhenda e punës sonë vazhdon, për të nxjerrë më në pah dhe për të përforcuar rolin tonë si pikë kyçe referimi globale për rregullimin e letrave me vlerë gjatë kësaj periudhe ndryshimi të shpejtë. Ne vazhdojmë të jemi proaktivë dhe të shohim përpara duke kërkuar ndërtimin e besimit në tregje të cilat janë duke ndeshur mundësi dhe rreziqe të reja, duke përfshirë edhe ato që vijnë nga teknologjia dixhitale".

Bordi diskutoi drejtimin strategjik për IOSCO-n deri në vitin 2020, burimet dhe mjetet e Planit të Veprimit. Drejtimi strategjik parashikon që në vazhdimësi, gjatë kësaj dekade, IOSCO të përforcojë pozitën e saj si pikë kyçe referimi mbarë botërore në rregullimin e letrave me vlerë. Drejtimi strategjik dhe objektivat do të realizohen përmes 43 nismave të Planit të Veprimit që mbulojnë gjashtë fusha prioritare.

  • Kërkimi dhe identifikimi i rrezikut;
  • Vendosja e standardeve dhe hartimi i udhëzuesve;
  • Monitorimi i zbatimit të standardeve të vendosura nga IOSCO;
  • Ndërtimi i kapaciteteve të vendeve anëtare, veçanërisht në rritjen e tregjeve të reja;
  • Shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi;
  • Angazhimi dhe bashkëpunimi me organizata të tjera ndërkombëtare.
Komiteti i Tregjeve në Rritje dhe Zhvillim (Growth and Emerging Market, GEM) më i madhi ndër komitetet e IOSCO-s), me 90 anëtarë, në takimet e tij përforcoi rëndësinë rritjes së kapaciteteve të përbashkëta rregullatore, duke përfshirë edhe identifikimin dhe administrimin e rrezikut sistemik. Anëtarët ranë dakord për të drejtuar politikat në fushat e mëposhtme prioritare:
  • Ndikimi i dixhitalizimit dhe risitë në tregjet e kapitalit;
  • Forcimi i qeverisjes së korporatave;
  • Zhvillimi i mjeteve dhe udhëzimeve për administrimin e krizave dhe ngjarjeve të paparashikuara për tregjet në zhvillim. 
Gjatë konferencës u zhvilluan edhe mbledhjet e katër komitetet rajonale të IOSCO-s si edhe mbledhja e Komitetit Këshillues të saj.

Në fushën e politikave, Bordi i IOSCO-s diskutoi përparimin në një numër fushash, duke përfshirë:
  • Adresimin e sfidave të rregullimit ndërkufitar;
  • Përmirësimin e qeverisjes së organizmave audituese ndërkombëtare që vendosin standardet;
  • Rritjen e qëndrueshmërisë së tregjeve të letrave me vlerë dhe pjesëmarrësve të tregut ndaj sulmeve kibernetike;
  • Rritjen e bashkëpunimin dhe shkëmbimit të informacionit nëpërmjet Memorandumit Multilateral të Mirëkuptimit duke marrë parasysh zhvillimet e fundit të tregjeve, teknologjitë dhe praktikat e zbatimit;
  • Sigurimin e përfshirjes së investitorëve në zhvillimin e politikave;
  • Lehtësimin e rritjes së kapitalit të SME-ve, duke përfshirë financimin e gjerë nga investitorë të vegjël (crowd – funding) dhe duke i mbrojtur ata.
Bordi diskutoi edhe për drejtimet në lidhje me administrimin e aseteve, sjelljen në treg, punën për rritjet e kapaciteteve, etj.

Në konferencën vjetore ishin të pranishëm me diskutimet e tyre personalitete të ndryshme të fushës së ekonomisë dhe financës si Harriett Baldwin Ministre Ekonomisë në Mbretërinë e Bashkuar (Economic Secretary to HM Treasury), Marc Carney, Guvernator i Bankës së Anglisë dhe Kryetar i Bordit të Qëndrueshmërisë Financiare, John Griffith Jones, Kryetar dhe Martin Wheatley, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Rregullator Financiar në Mbretërinë e Bashkuar (FCA), si dhe një sërë drejtuesish të autoriteteve rregullatore apo institucioneve financiare.

Në diskutimet e mbajtura si dhe në dy workshop-e të organizuara përkatësisht me temat: "Qëndrimi i fortë dhe i besueshëm në zbatueshmërinë e kuadrit rregullator të tregjeve të letrave me vlerë" dhe "Konsumatorët e cenueshëm", thelbi qëndronte pa dallim në nevojën për të mbrojtur konsumatorët.

Mbrotja e konsumatorëve kërkon forcim të qëndrimit të autoriteteve rregullatore në drejtim të zbatueshmërisë së kuadrit rregullator; ndëshkim të sjelljes së gabuar në treg nga ana e operatorëve; forcim të sistemit të ndëshkimit të sjelljes së gabuar në treg duke përdorur sistemin e ndëshkimeve administrative dhe penale; rritje të bashkëveprimit të autoriteteve rregullatore me pushtetin gjyqësor për të siguruar ndëshkimin penal të keqbërësve; mbajtjen përgjegjës për veprimin e operatorëve të bordeve të tyre jo vetëm kolektivisht, por edhe individualisht të anëtarëve të bordit; si dhe forcim të qeverisjes së vetë autoriteteve rregullatore dhe bashkërendimit ndërmjet tyre në nivel botëror.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]