30 Qershor 2015

Për zhvillimin e trajnimit afatgjatë të kualifikimit profesional për aktuar

Në zbatim të nenit 222, pika 3/a, të Ligjit nr. 52/2014, datë 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nëpërmjet Qendrës së Edukimit, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin dhe Fakultetin e Aktuarëve në Londër dhe me pjesëmarrjen e Shoqatës Shqiptare të Aktuarëve, njofton të gjithë personat e interesuar, për organizimin e trajnimin afatgjatë të kualifikimit profesional për aktuar, i cili do të zhvillohet duke filluar nga shtatori 2015, pranë ambienteve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ky trajnim do të kontribuojë për të vendosur themelet e dijes së shkencës aktuariale dhe do të prezantojë të gjithë pjesëmarrësit me zbatimin praktik të metodave dhe teknikave aktuariale të cilat shërbejnë në: industrinë e sigurimeve (sigurimin e Jetës dhe të Jo-Jetës), fondet e investimit, fondet private të pensioneve, etj.

Trajnimi do të zhvillohet në gjuhën angleze me profesorë të huaj dhe të gjithë pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një testimi të gjuhës dhe njohurive matematikore paraprakisht. Për të marrë pjesë në trajnimin afatgjatë të kualifikimit profesional për aktuar, pjesëmarrësit duhet të kenë përfunduar studimet dhe të jenë të pajisur me diplomë universitare në një nga këto fusha: matematikë, statistikë, ekonometri, administrim risku, investime, financë, etj. Autoriteti do të lëshojë certifikata për pjesëmarrësit të cilët do të përfundojnë me sukses këtë trajnim afatgjatë. Këta të fundit do të kenë të drejtë të aplikojnë për licencë Aktuar i Autorizuar.

Programi mësimor i këtij trajnimi është i njohur dhe në përputhje me programin e Shoqatës Ndërkombëtare të Aktuarëve (IAA) dhe është i bazuar në praktikat më të mira të Institutit dhe Fakultetit të Aktuarëve në Londër.

Tarifa për trajnime për kualifikim profesional është e pakthyeshme.

Për të lexuar programin e plotë, klikoni këtu

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]