16 Nentor 2015

Zhvillohet Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve

Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) zhvilloi gjatë periudhës 9-13 nëntor 2015, në Marakesh, Marok, Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore, si dhe mbledhjet e komiteteve të saj. Pjesëmarrës në këto aktivitete ishin mbi 600 përfaqësues nga autoritetet mbikëqyrëse të sigurimeve, shoqëritë e sigurimeve, ekspertë dhe zyrtarë të lartë të organizatave ndërkombëtare. E themeluar që në vitin 1994, IAIS përfaqëson rregullatorët dhe mbikëqyrësit e sigurimeve prej më shumë se 200 juridiksione, në 140 vende të botës, ku dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është anëtar me të drejta të plota dhe përfaqësohet në vazhdimësi në nivel të lartë.

Ndër diskutimet kryesore të Mbledhjes së Përgjithshme Vjetore - 2015 ishin:

•    Praktikat e mbikëqyrjes, mjetet dhe metodat në mbikëqyrje;
•    Standardet globale të kapitalit në sigurime;
•    Roli i rregullatorëve në raportin midis zhvillimit të tregut dhe mbikëqyrjes së tij;
•    Përgatitja e rregullatorëve për ndryshimet që lidhen me kërkesën konsumatore dhe risitë teknologjike;
•    Rreziku kibernetik – sfidat për rregullatorët dhe siguruesit.

Gjatë mbledhjeve të komiteteve u finalizuan mjaft projekte dhe u miratuan dokumente teknike dhe strategjike duke përfshirë edhe rishikimin e Parimeve Bazë të Sigurimeve (IAIS Insurance Core Principles, ICPs). Këto ndryshime nisën pas përfundimit të procesit të vetëvlerësimit me ICP-të nga vendet anëtare të IAIS. Rishikimi i ICP-ve merr parasysh edhe zhvillimet e fundit në mbikëqyrjen e grupeve, qeverisjen e shoqërive dhe administrimin e rrezikut, si dhe parimet, standardet dhe udhëzimet e lëshuara nga organizma të  tjerë hartues të standardeve ndërkombëtare.

Ndër ICP e rishikuara ishin:

•    ICP 4 (Licencimi);
•    ICP 5 (Përshtatshmëria e personave);
•    ICP 7 (Qeverisja e Shoqërive);
•    ICP 8 (Administrimi i Rrezikut dhe Kontrollet e Brendshme);
•    ICP 23 (Mbikëqyrja e grupeve);
•    ICP 25 (Bashkëpunimi dhe koordinimi midis rregullatorëve).

Ndër dokumentet teknike të rishikuara në këto takime ishin:

Kërkesat për kapacitet shtesë për përballimin e humbjeve (për institucionet e rëndësishme për sistemin financiar global); rregullimi dhe mbikëqyrja e shoqërive të sigurimit të mbyllura (ang. captives); rreziku i sjelljes së biznesit dhe administrimi i tij; sjellja e biznesit në përfshirjen financiare dhe mikrosigurime; rregullimi dhe mbikëqyrja e mikrotakaful, etj.

Më shumë informacione për Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore – 2015 mund të gjenden në faqen zyrtare të internetit të IAIS: www.iaisweb.org