18 Dhjetor 2008

Risiguruesit globalë qëndrojnë elastikë para krizës financiare – IAIS boton Raportin Global të Tregjeve të Risigurimit 2008

(Njoftim i publikuar nga IAIS)

Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS[1]) botoi sot përmbledhjen e pestë vjetore të gjendjes financiare të risiguruesve globalë, "Raporti Global i Tregjeve të Risigurimit 2008". Raporti vlerëson qëndrueshmërinë e tregut të risigurimeve dhe lidhjet e sektorit të risigurimeve së bashku me ndikimin e situatës së vështirë aktuale mbi sektorin e risigurimeve. Ai bazohet në të dhëna të risiguruesve më të mëdhenj të botës. Kjo përmbledhje vjetore ka avancuar në vite nga përmbajtja e të dhënave dhe analizave që lidhen me risigurimin, me përfshirjen e tendencave dhe zhvillimeve të përditësuara të tregjeve.

Risiguruesit luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e mirëorganizuar të tregjeve të sigurimeve, nëpërmjet ofrimit të kapaciteteve të madha absorbuese, përfshirë këtu mbulimin përkundrejt katastrofave të mëdha natyrore të risiguruara. Pas dëmeve rekord të regjistruara në vitin 2005 dhe pavarësisht nga disa katastrofa të mëdha natyrore të shkaktuara nga stuhitë dimërore dhe uraganët, si viti 2006 edhe viti 2007 rezultuan me fitim për risiguruesit.

Në fakt, viti 2007 ishte me fitim të konsiderueshëm për risiguruesit, ku disa prej tyre raportuan rezultatet më të mira të realizuara në pesë vitet e fundit. Si rrjedhim, industria e risigurimeve mbështetet  tashmë në një bazë të fortë financiare për të përballuar sfidat e krizës financiare në vazhdim. Gjithësesi, me rritjen e fushës së ndikimit të krizës financiare, risiguruesit mund të përballen me tregje dhe kushte kreditimi të vështira.    

Peter Braumüller, Kreu i Komitetit Ekzekutiv të IAIS-it, pohoi se "në mes të trazirave financiare që po vazhdojnë, tregu global i risigurimeve ka qëndruar relativisht i fortë dhe  elastik përkundrejt me goditjeve të drejtpërdrejta të deritanishme, cfarë ka kontribuar si në stabilitetin e tregjeve globale të sigurimit, ashtu edhe në qëllimin e mbrojtjes dhe sigurisë së të siguruarve."

Raportin mund ta gjeni në faqen e internetit të IAIS-it: http://www.iaisweb.org/

Rreth IAIS-it

I themeluar në 1994, IAIS përfaqëson rregullatorët dhe mbikëqyrësit e 190 juridiksioneve në rreth 140 vende dhe ka gjithashtu më shumë se 120 organizata profesioniste të sigurimeve, sigurues, risigurues dhe shoqata të biznesit si vëzhgues. IAIS harton parime globale të risigurimeve, standarde dhe udhërrëfyes, kryen trainime dhe jep mbështetje në cështje që lidhen me mbikëqyrjen e sigurimeve, organizon takime dhe seminare për mbikëqyrësit e sigurimeve. IAIS bashkëpunon ngushtë me institucione të tjera financiare për të nxitur stabilitetin financiar. 


[1] IAIS - International Association of Insurance Supervisors