24 Dhjetor 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Periudhën Janar – Nëntor 2008

Në periudhën Janar - Nëntor 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 631,206 duke shënuar një rritje prej rreth 27.03% në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 6,535 milionë lekë, shifër kjo 20.82% më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92.88% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7.12 %. 

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 55.97 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 janë rreth 2,514 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 5.79% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen prej 6.96% të numrit të kontratave.
  • Në periudhën Janar - Nëntor  2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 857 milionë lekë, ose 16.82 % më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 13.54 % krahasuar me të njejtën periudhë.
  • Sigurimi Kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 35.31% në krahasim me periudhën Janar - Nëntor 2007. Në të njejtën kohë numri i kontrave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 10.12%. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 286 milionë lekë. Efekti vjen nga ulja e tarifave të shitjes  të këtij lloj sigurimi sipas Urdhërit Nr.70 datë, 20.07.2007 të Ministrit të Financave.

Sigurimi vullnetar

Në Janar - Nëntor 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 2,878 milionë lekë me një rritje prej 55.01% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 56.64% rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 60.47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,677 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 44.20% të pasuara nga sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 38.09% dhe sigurimi i garancisë me 9.54%.

Në 11-mujorin e këtij viti sigurimet e përgjegjësisë kanë dinamikën më të lartë të rritjes dhe ndikimin kryesor në rritjen e tregut për këtë periudhë. Rritja e këtij portofoli me rreth 154% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje prej 190% në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave rritja ështe 47.62%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinjerike.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 36.65 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 31.39% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 11-mujorin e vitit 2008 arritën në rreth 284 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 64.46% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 79.74% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet me numrin në rritje të personave që udhëtojnë jashtë vendit.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 465 milionë lekë me një rritje prej 31.73% krahasuar me Janar - Nëntor  2007.

Peshën më të madhe prej rreth 74.12% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në njëmbëdhjetëmujorin e vitit  2008 ishte rreth 1,405 milionë lekë, ose 15.85 % më shumë se në Janar - Nëntor të vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 1,096 milionë lekë, apo 78.05% të totalit të dëmeve të paguara bruto..

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Kasko Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

86

95

Karton Jeshil

676

818

Kasko

77

88

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar - Nëntor 2008 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - nëntor 2008 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - nëntor 2008 (në versionin PDF) klikoni këtu