24 Janar 2009

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Vitin 2008

Gjatë vitit 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 692,334, duke shënuar një rritje prej rreth 27.33% në krahasim me vitin 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 7,090 milionë lekë, shifër kjo 19.45% më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92.70% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7.30%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.82% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.18% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 56.18% të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në vitin 2008 janë rreth 2,729 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 5.92% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen prej 6.73% të numrit të kontratave.
  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 933 milionë lekë, ose 18.15% më shumë se në 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 12.76% krahasuar me 2007.
  • Sigurimi Kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 35.63% në krahasim me vitin 2007. Në të njejtën kohë numri i kontrave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 11.02%. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 322 milionë lekë.

Sigurimi Vullnetar

Gjatë vitit 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 3,107 milionë lekë me një rritje prej 50.06% kundrejt një viti më parë dhe rreth 57.44% rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 55.90% krahasuar me një vit më parë.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,780 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 42.25% i pasuar nga sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 39.46% dhe sigurimi i garancisë me 10%.

Në vitin 2008, sigurimet e përgjegjësisë kanë dinamikën më të lartë të rritjes dhe ndikimin kryesor në rritjen e tregut të pronës, përgjegjësive dhe garancive. Rritja e këtij portofoli me rreth 151% krahasuar me vitin 2007, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike në këtë periudhë patën një rritje prej 187% në volumin e primeve të shkruara bruto si dhe një rritje me 38.87% të numrit të kontratave, krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinjerike.

Në portofolin zjarri dhe rreziqet shtesë vihet re një rritje prej 24.99% e numrit të kontratave të sigurimit dhe një rritje me rreth 24.36% e volumit të primeve të shkruara bruto.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në vitin 2008 arritën në rreth 313 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 67.61% në krahasim me vitin 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 79.07% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit lidhet si me rritjen e të ardhurave të sigurimit të shëndetit në udhëtim dhe me rritjen e të ardhurave të shëndetit privat.Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 518 milionë lekë me një rritje prej 26.40% krahasuar me vitin  2007.

Peshën më të madhe prej rreth 73.38% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti Jetë Debitori. Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e Paguara Bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në vitin 2008 ishte rreth 1,549 milionë lekë, ose 18.19 % më shumë se në vitin 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 1,216 milionë lekë, apo 78.46 % të totalit të dëmeve të paguara bruto..

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Karton Jeshil dhe Kasko paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

                                                           Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

86

94

Karton Jeshil

679

789

Kasko

79

91

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor Janar - Dhjetor 2008 përmban të dhena më detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - dhjetor 2008 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - dhjetor 2008 (në versionin PDF) klikoni këtu