19 Mars 2009

Prezantim i Kryetares Elisabeta Gjoni në Workshopin "Rregullimi dhe Mbikëqyrja Financiare Ndërkufitare - Kuadri i Zbatimit" Organizuar nga Autoriteti i Tregjeve Financiare të Austrisë (FMA Austria) dhe Banka Botërore në datat 16 – 19 Mars 2009 në Joint Vienna Institute, Austri

Në datat 16 - 19 Mars 2009, u zhvillua në Vjenë workshopi, mbi rregullimin dhe mbikëqyrjen financiare ndërkufitare dhe kuadrin e zbatimit të tyre. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të niveleve më të larta nga autoritete rregullatore / mbikëqyrëse financiare dhe institucione financiare ndërkombëtare.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë (AMF) u përfaqësua nga Kryetarja  Elisabeta Gjoni, e cila ishte njëkohësisht edhe anëtare në panelin e sesionit të  datës 19 Mars me temë: "Qasja me sfidat e problemeve të mbikëqyrjes ndërkufitare në praktikën e mbikëqyrjes së sigurimeve".

Në prezantimin e saj mbi "Sfidat e mbikëqyrjes së sigurimeve", Kryetarja Gjoni trajtoi (i) elementë të zhvillimit të sigurimeve në vendet e rajonit, (ii) probleme dhe sfida të rregullimit dhe mbikëqyrjes në vendet në zhvillim, (ii) rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe shkëmbimit të përvojës midis rregullatorëve dhe (iv) qasjen e masat, përkundrejt efekteve të mundshme të krizës financiare. Ajo paraqiti një tablo konkrete të problemeve dhe sfidave të AMF-së si rregullator dhe mbikëqyrës i integruar i sektorit financiar jobankar në Shqipëri dhe qasjen e këtij institucioni në përballimin e tyre.

Në kuadrin e tematikës dhe frymës së përgjithshme të  workshopit, Zj Gjoni vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit në rritje me FMA-në  Austriake në drejtim të mbikëqyrjes ndërkufitare dhe shkëmbimit të eksperiencës. Takimet e ndërsjellta, me synim mbikëqyrjen ndërkufitare, kanë përfshirë nivelet më të larta dhe janë shoqëruar më tej me asistencë teknike të ofruar nga FMA Austriake për çështje të mbikëqyrjes të bazuar në rrezik dhe ndërtimin e një sistemi bashkëkohor të menaxhimit të informacionit.

Si shembull pozitiv i bashkëpunimit në mbikëqyrjen ndërkufitare u përmend edhe nënshkrimi  i marrëveshjes së bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në fund të vitit 2008 për shkëmbimin e përvojës dhe mbikëqyrjen ndërkufitare të sektorëve financiarë jobankarë dhe trajnimeve të përbashkëta.

Zj. Gjoni, vlerësoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare financiare drejt ndërtimit të sistemeve bashkëkohore të rregullimit dhe mbikëqyrjes të bazuara në standardet e IAIS-it dhe parimet e njohura ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ajo përmendi projektet në proces të AMF-së me Bankën Botërore dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për përmirësimin e kuadrit ligjor, hartimin e metodologjisë së mbikëqyrjes së bazuar në rrezik dhe mbështetjen në një platformë tërësisht elektronike të raportimit.

 

Për të lexuar prezantimin e mbajtur nga Kryetarja e AMF-së, zj. Elisabeta GJoni, klikoni këtu