22 Maj 2018

Konferencë Kombëtare mbi Edukimin Financiar

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë më datë 24 maj 2018, Konferencën Kombëtare “Edukimi Financiar” me fokus kryesor studentët, të cilët përfaqësohen me punime të ndryshme, për të nxitur diskutimin mbi zhvillimet e sotme më të rëndësishme dhe sfidat që hasim në tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së dhe rëndësinë që edukimi financiar ka për zhvillimin e tyre. Konferenca organizohet në kuadër të zbatimit të Strategjisë “Për rritjen e besimit të konsumatorit dhe investitorit në tregjet nën mbikëqyrje” dhe pas miratimit të Strategjisë për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrje 2018-2022.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, dhe Kryetar i Bordit, Z. Pajtim Melani, do të paraqesin synimet kryesore të AMF-së në drejtim të edukimit financiar. Pjesëmarrës në konferencë do të jenë edhe ekspertë të huaj dhe drejtues të institucioneve të sistemit arsimor në Shqipëri.

Në dy sesionet e konferencës do të prezantohen punimet sipas tregjeve duke iniciuar edhe debatin për tendencat e reja të zhvillimit të tregjeve financiare jobankare dhe rolit të mbikëqyrësit në këto tregje. Disa nga tematikat që do të trajtohen lidhen me:
 

  • Sfidat për edukim financiar cilësor në arsimin parauniversitar
  • Dixhitalizimi në tregun e sigurimeve;
  • Fondet e investimit në Shqipëri dhe krahasimi me fondet e investimit në botë;
  • Bursa dhe faktorët që ndikojnë në funksion të saj;
  • Arbitri mbi mosmarrëveshjet financiare: një model i ri për mbrojtjen e investitorëve;
  • Vlerësimi i edukimit dhe sjelljes financiare në vendimmarrjen financiare;
  • Zhvillimi i fondeve të pensioneve private vullnetare.



Në përfundim të konferencës, AMF do të japë dhe çmimin "Punimi më i mirë" për punimet më të mira nga pjesëmarrësit në konferencë.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]