12 Qershor 2018

Zhvillohet takimi i 15-të i Iniciativës së Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore për Mbikëqyrjen e Sigurimeve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi më datë 12 qershor, në Tiranë, takimin e 15-të të Iniciativës për Mbikëqyrjen e Sigurimeve të vendeve së Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, CESEE. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të autoritete mbikëqyrëse të sigurimeve nga vende si Bosnje-Hercegovina dhe Republika Serbe e Bosnjës, Hungaria, Kroacia, Republika e Kosovës, Mali i Zi, Maqedonia, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia dhe Shqipëria. Takimi u drejtua nga Z. Peter Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA e Austrisë,  Përgjegjës për Mbikëqyrjen e Shoqërive të Sigurimit dhe Fondeve të Pensionit. Drejtor Ekzekutiv në FMA, Z. Braumüller, vlerësoi jetëgjatësinë e kësaj Iniciative që ka lindur në vitin 2011. Takimi, theksoi Z. Braumüller, zhvillohet 2 herë në vit duke formalizuar komunikimet e rregullatorëve të mbikëqyrjes së sigurimeve në rajon për shkëmbimin e eksperiencave dhe informacioneve, si edhe përballimin e sfidave që nxjerrin zhvillimet e tregut.

Duke përshëndetur takimin, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi, pasqyroi zhvillimet dhe ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri dhe theksoi se AMF ka hartuar edhe një Strategji 5-vjeçare zhvillimi për tregjet nën mbikëqyrje. Edhe pse tregu i sigurimeve ende mbetet i orientuar nga produktet e detyrueshme të sigurimit, AMF bën përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen në produktet vullnetare të sigurimeve.

Takimi u zhvillua në katër sesione tematike.
 

  • Kriteret dhe sfidat në zbatimin e standardeve të përshtatshmërisë (fit and proper) për mbajtësit e posteve të rëndësishme në shoqëritë e sigurimit, e cila u prezantua dhe moderuar nga Znj. Tanja Denic e Autoritetit Kroat të Mbikëqyrjes Financiare;
  • Si të reduktohet përqendrimi i sigurimeve të detyrueshme motorike në tregun e sigurimeve, për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Kjo temë u  prezantua dhe moderua nga Znj. Marsela Vaska, Drejtore e Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve;
  • Menaxhimi i cilësisë dhe aktivitetet kontrolluese mbi kanalet e shpërndarjes në kompanitë e sigurimeve në kuadër të direktivës së re IDD (Insurance Distribution Directive, IDD) e cila u prezantua dhe moderua nga Katerina Vichova inspektore e mbikëqyrjes në vend (on-site) pranë bankës Kombëtare të Republikës Çeke;   
  • Sistemet e vlerësimit të riskut për qëllime rregullatorë, temë e cila u prezantua dhe më pas sesioni u moderua nga Dritan Varfi, Drejtor i Drejtorisë së Administrimit të Riskut pranë AMF-së.
 
Gjatë sesioneve pati diskutime dhe shkëmbime të eksperiencave për të gjitha tematikat nga autoritetet mbikëqyrëse të vendeve pjesëmarrëse në takim. Takimi i ardhshëm i iniciativës CESEE të mbikëqyrjes në sigurime do të bëhet në tetor 2018.