11 Korrik 2018

Qytetarët i besojnë më shumë AMF-së në zgjidhjen e problematikave të tyre

Qytetarët i janë drejtuar gjithnjë e më shumë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për zgjidhjen e problematikave të tyre në lidhje me tregjet nën mbikëqyrje. Në 6-mujorin e parë të vitit 2018 u shënua një rritje e numrit të problematikave që konsumatorët i kanë paraqitur AMF-së për zgjidhje. Deri në datën 27.06.2018 në Autoritet janë depozituar 41 ankesa për çështje të ndryshme, mbi 90% e tyre të lidhura me tregun e sigurimeve.

Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me refuzimin e pagesës së dëmshpërblimit, mosrënien dakord për vlerën e dëmshpërblimit apo pretendime për vonesa në trajtimin e praktikave nga ana e shoqërive të sigurimit.

Autoriteti ka trajtuar brenda afatave kohore të gjitha ankesat e konsumatorëve dhe po vijon me adresimin e tyre. Nga 41 ankesat e paraqitura, thuajse gjysmës i është dhënë zgjidhje përfundimtare në favor të konsumatorit dhe rreth 20% janë në proces trajtimi, të depozituara të gjitha në muajin qershor, brenda afateve. Për pjesën tjetër të ankesave të paraqitura në Autoritet, është mbyllur trajtimi dhe iu është dhënë informacioni i nevojshëm.

Nga shqyrtimi i çështjeve të ankimuara, rezulton se mosmarrëveshjet e lindura mes konsumatorit dhe shoqërive të sigurimit kanë ardhur si pasojë e mosinformimit të plotë në lidhje me kontratën e sigurimit. AMF këshillon konsumatorët të njihen me kujdes me kushtet e kontratës përpara nënshkrimit të saj dhe të kërkojnë sqarime nga shoqëritë derisa të kuptojnë plotësisht dokumentin që po nënshkruajnë dhe përfitimet prej tij.

Synimi i Autoritetit është ruajtja e një komunikimi  të hapur e të drejtëpërdrejtë me konsumatorët për të marrë asistencën e nevojshme për hapat që duhen ndjekur në lidhje me ankesat për të gjetur zgjidhje të problematikave të tyre.

Qytetarët për çdo problematikë ose ankesë janë të lutur të kontaktojnë me Autoritetin përmes adresës së posaçme të e-mailit, që gjendet në faqen zyrtare të AMF, [email protected], si dhe numrit të telefonit +355 4 22 57 560. Gjithashtu nga viti i kaluar është funksionale faqja zyrtare e Autoritetit në Facebook, nëpërmjet të cilës qytetarët kanë marrë përgjigje për pyetje apo shqetësime të ndryshme të ngritura prej tyre.