10 Shtator 2018

AMF, takim me përfaqësues të Bankës Botërore

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi priti në një takim përfaqësuesin e Bankës Botërore Z. Mario Guadamillas, i cili po qëndron në vendin tonë për takime me drejtues të institucioneve financiare.

Në këtë takim u diskutua në lidhje me ecurinë e projektit për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së me fokus tregun e kapitaleve, i financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), me asistencën e Bankës Botërore.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së i njohu përfaqësuesit e Bankës Botërore me punën e zhvilluar në Autoritet gjatë kësaj periudhe, veçanërisht në lidhje me zhvilimin e tregut të kapitaleve në vend dhe hartimin e dy projektligjeve të reja, “Për titujt” dhe “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Z. Koçi i falenderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të Autoritetit në kuadër të kualifikimit profesional dhe zhvillimit të kapaciteteve mbikëqyrëse, si edhe për mbështetjen e dhënë në lidhje me draft ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Bankës Botërore u shpreh shumë i kënaqur me ecurinë e deritanishme të projektit për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së, me fokus tregun e kapitaleve dhe për bashkëpunimin me Autoritetin. Fokusi i Bankës Botërore do të jetë diversifikimi i sistemeve financiare dhe asistenca në fusha të ndryshme për t’i shërbyer më tej zhvillimeve në Shqipëri.

Në takim u diskutua mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit përmes një projekti të ri për zhvillimin e tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.