12 Shtator 2018

AMF informon Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me zgjidhjen e problematikës së Fondit të Kompensimit

Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare informuan sot, 12.09.2018, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me ecurinë e problematikës së Fondit të Kompensimit. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Ervin Koçi theksoi se gjatë vitit 2018, ashtu si edhe gjatë vitin të kaluar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë evidentimit dhe zgjidhjes së problemeve të trashëguara ndër vite (duke filluar nga viti 2002) me Byronë Shqiptare të Sigurimit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se deri në datë 10 shtator 2018 shoqëritë e sigurimit kanë kryer 59% pagesave të dëmeve të prapambetura nga Fondi i Kompensimit, që në vlerë absolute arrin në rreth 541 milionë lekë dëmshpërblime, të cilat janë marrë nga qytetarët e dëmtuar. Gjithashtu, shoqëritë e sigurimit kanë lidhur marrëveshje për të paguar me këste të nënshkruara me palët përfituese/përfaqësuesit ligjor edhe për shlyerjen e detyrimeve në vlerën prej rreth 303 milionë lekë. Në anën tjetër, AMF, pas ndryshimit të Rregullores në muajin korrik 2018, ka shpërndarë te shoqëritë praktika për shlyerje detyrimesh në vlerën e mbi 95 milionë lekëve.  

Kjo ecuri pozitive në pagesa vjen pas vendimeve të njëpasnjëshme të Bordit të AMF-së për pagesën e menjëhershme për detyrimet e prapambetura që janë të ekzekutueshme dhe miratimin e Fondit të Kompensimit për dosjet që janë në proces trajtimi, ose gjyqësor.  

Në muajin nëntor 2017, u miratua një shtesë në Fondin e Kompensimit të vitit 2017, me vlerë 250 milionë lekë, e cila nuk vinte si propozim nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të Byrosë. Ndërsa në korrik 2018 Bordi miratoi një tjetër shtesë të Fondit të Kompensimit prej rreth 182 milionë lekë, nisur nga vendimet e gjykatave të formës së prerë. Fondi i Kompensimit i miratuar nga Bordi i Autoritetit për vitin 2018 arrin në rreth 1.68 miliardë lekë dhe ky Fond i miratuar nga AMF është më shumë se ai i 3 viteve të marra së bashku, 2014– 2016.

Nga ky fond i miratuar 923 milionë lekë janë detyrimet e prapambetura të cilat janë për t’u ekzekutuar dhe rreth 745 milionë lekë janë për ngjarjet e sigurimit në proces trajtimi apo proces gjyqësor pa vendim të formës së prerë.
AMF edhe në vazhdim po merr një sërë masash lidhur me inspektimin në vazhdim të BSHS për ndjekjen e zbatimit të vendimeve të Bordit të Autoritetit. Ndryshimet e ndodhura në BSHS me emërimin e drejtorit të ri dhe ndryshimin e rregullores “Për krijimin, llogaritjen, financimin, administrimin e Fondit të Kompensimit dhe kryerjen e pagesave të dëmeve”, ndryshuar në korrik 2018, i dhanë mundësinë Autoritetit të bëjë ndarjen e dosjeve të prapambetura objekt i Fondin e Kompensimit në rastet kur nuk veprohet nga BSHS.

Ndërkohë, AMF ka rritur komunikimin me qytetarët dhe i fton ata në vazhdimësi që të komunikojnë me të si nëpërmjet nëpërmjet faqes zyrtare të AMF-së, www.amf.gov.al, adresës elektronike [email protected] për të prezantuar shqetësimet e tyre dhe për të marrë informacion lidhur me ecurinë e dosjeve të tyre. AMF e ka mbrojtjen e konsumatorëve një nga objektivat e saj prioritarë.