25 Shtator 2018

AMF organizon takim me përfaqësues të tregut për projektligjin “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është duke punuar për një projektligj të ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”. Hartimi i këtij projektligji është mbështetur nga ekspertë të huaj në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve” financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Në këtë kuadër, AMF organizoi më datë 25 shtator një tryezë diskutimi me përfaqësues të tregut të fondeve të investimeve për të prezantuar projektligjin dhe marrë këndvështrimin e tyre lidhur me të. Në takim morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të shoqërive administruese që manaxhojnë fonde investimi, depozitarë të këtyre fondeve, ekspertë nga Autoriteti si edhe ekspertët e huaj që asistojnë projektin.

Ekpertët e huaj që kanë hartuar projektligjin gjatw prezantimit theksuan se projektligji i ri ka synuar përafrimin me Direktivat e BE mbi të cilat mbështetet ky projektligj, si UCITS dhe AIFMD.

Pas prezantimit të projektligjit, shoqëritë administruese dhe depozitarët bënë pyetje dhe komente që lidheshin me elementë të veçantë të projektligjit, për ndryshimet që ai sjell, për periudhën tranzitore të zbatimit, si edhe qartësime të tjera.