11 Tetor 2018

AMF, marrëveshje bashkëpunimi me Institutin Kanadez të Teknologjisë për edukimin financiar dhe formimin e studentëve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot, më datë 11 tetor 2018, një takim me përfaqësues të Institutit Kanadez të Teknologjisë (ICT), i cili u pasua nga nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi.

Të pranishëm në takim ishin Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi dhe përfaqësues të tjerë të Autoritetit, ndërsa ICT përfaqësohej nga rektori , Z. Gëzim Karapici dhe drejtues të tjerë.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se bashkëpunimi me ICT bëhet në kuadër të zbatimit të strategjisë së nisur nga Autoriteti për edukimin financiar të publikut e në veçanti të studentëve, si edhe rritjes së aftësimit të tyre profesional. Z. Koçi deklaroi se Autoriteti është shumë i angazhuar në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së besimit në tregjet nën mbikëqyrje.

Nga ana e tij, Z. Karapici theksoi se marrëveshja e bashkëpunimit pritet t’u shërbejë studentëve për të thelluar njohuritë e tyre për tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit, për përfitimin e praktikave mësimore dhe për t’u përgatitur sa më mirë për tregun e punës. 

Në vitin e ri akademik, ekspertët e AMF-së dhe profesionistët nga fusha të ndryshme të tregjeve financiare jobankare do të zhvillojnë leksione të hapura në ICT, ndërsa në kuadër të marrëveshjes do të organizohen aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese dhe edukuese për studentët.