26 Dhjetor 2018

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-nëntor 2018

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-nëntor 2018 kapën vlerën mbi 15,149 milionë lekë, ose 6.02% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2017. Gjatë periudhës janar-nëntor 2018, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,174,224 me një rritje prej 5.62% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2017. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.09% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.62% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.29%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 36.90% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 63.10% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-nëntor 2018, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,175 milionë lekë, ose 24.03% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2017.

Struktura e tregut të sigurimeve, janar-nëntor 2018



Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-nëntor 2018 arritën rreth 9,560 milionë lekë, ose 7.63% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2017.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-nëntor 2018, pati një rritje prej 10.17% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 7.31% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2017.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-nëntor 2018 pati një rritje prej 0.70% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 24.91% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2017.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-nëntor 2018, pati një ulje 6.11% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-nëntor 2017. Ndersa numri i kontratave u ulje me 2.88%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-nëntor 2018 arritën rreth 5,590 milionë lekë, 3.36% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2017. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 1.72% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2017.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2018, patën rritje me 4.52% kundrejt periudhës janar-nëntor 2017.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-nëntor 2018 siguruan mbi 2,521 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 75.97%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 14.83% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-nëntor 2018, vihet re një rritje prej 19.50% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 7.86% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-nëntor 2017.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-nëntor 2018, arritën në rreth 1,031 milionë lekë, duke shënuar ulje prej 3.65% në krahasim me periudhën janar-nëntor 2017.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2018, arritën rreth 1,003 milionë lekë, ose 1.78% më pak se në periudhën janar-nëntor 2017.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-nëntor 2018 u rrit me 24.03% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2017. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,982 milionë lekë, apo 48.28 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.
 

Type of Insurance Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
Janar - Nëntor 2017 2018 18/`17-1
 Dëmi mesatar
MTPL e brendshme  221  219 (0.99)
Karton Jeshil  874  498 (43.04)
Kasko  104  107 3.30

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-nëntor 2018, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.







 
 
[1]Tek dëmet e paguara janë perfshirë dhe Demet nga Fondi i kompesimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit