25 Maj 2009

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Prill 2009

Në periudhën janar - prill 2009, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 230,621 duke shënuar një rritje prej rreth 29% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 2,659 milionë lekë, shifër kjo 29% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 54% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar, tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve, ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm 

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2009 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 54% të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në janar - prill të vitit 2009 janë rreth 927 milionë lekë ose 1% më pak se periudha janar - prill 2008, ndërsa numri i kontratave ka pësuar një ulje prej 3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
  • Në periudhën janar - prill 2009, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 446 milionë lekë, ose 42% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2008, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
  • Sigurimi Kufitar, gjatë kësaj periudhe 4 - mujore të vitit 2009 të ardhurat e këtij lloj sigurimi shënuan një rritje me 28%, krahasuar me periudhën janar - Pprill 2008 dhe numri i kontratave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 10%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi vullnetar 

Në periudhën janar - prill 2009,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,223 milionë lekë me një rritje prej 58%, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, dhe po me të njëjtën shifër, rreth 71% rritje të numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo - Jetës u rritën me rreth 65%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 666 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 47%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 33% dhe më pas vjen  sigurimi i garancive  me 9%.

Në portofolin Zjarri dhe rreziqet shtesë ndihet një rritje prej 10% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 31% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në janar - prill të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë vazhdojnë të ruajnë dinamikën më të lartë të rritjes. Rritja e këtij portofoli me rreth 133%, krahasuar me janar - prill të vitit 2008, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike, të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë shumëfishuan rritjen në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinierike.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar - prill të vitit 2009 arritën në rreth 135 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 81% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 76% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit lidhet, si me rritjen e të ardhurave të sigurimit të shëndetit në udhëtim, ashtu edhe me rritjen e të ardhurave të shëndetit privat.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 208 milionë lekë me një rritje prej 32%, krahasuar periudhën janar - prill të vitit  2008.

Peshën më të madhe prej rreth 68% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në janar - prill të vitit 2009 ishte rreth 480 milionë lekë, ose 19% më shumë se në janar - prill të vitit 2008.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 422 milionë lekë, apo 88% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Kasko Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2008

2009

                  Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

91

95

Karton Jeshil

677

535

Kasko

92

95

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor janar - prill 2009 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - prill 2009 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - prill 2009 (në versionin PDF) klikoni këtu