4 Dhjetor 2007

Filloi nga puna sistemi GSRM

Filloi nga puna sistemi GSRM

 

Ç’është GSRM

 

GSRM[1] (Tregu me Pakicë i Letrave me Vlerë të Qeverisë) është një sistem elektronik ku publikohen të dhënat mbi kuotimet dhe transaksionet e ekzekutuara çdo ditë në tregun me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë (bono thesari dhe obligacione qeveritare) nga subjektet e liçencuara prej Autoritetit të Mbikëqyrjes  Financiare (AMF) për të operuar në këtë treg.

 

GSRM është ideuar dhe konceptuar nga AMF në formën e një platforme të përbashkët të shpërndarjes së informacionit nëpërmjet publikimit të detyrueshëm të të dhënave mbi veprimet e ekzekutuara nga operatorët në tregun me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë.

 

Qëllimi i Futjes në Zbatim të GSRM

 

Qëllimi i futjes në zbatim të GSRM është për t’i ardhur në ndihmë publikut edhe investitorëve institucionalë, të cilët kanë investuar në letrat me vlerë të Qeverisë, të kenë një informacion më të plotë dhe në kohë reale mbi kërkesën dhe ofertën ditore për këto instumente (bono thesari dhe obligacione qeveritare) në tregun me pakicë, i cili organizohet në sportelet e operatorëve të liçencuar, kryesisht banka të nivelit të dytë.

 

Me futjen në zbatim të GSRM, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare synon rritjen e transparencës në tregun me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë duke synuar një mbrojtje më të mirë të interesave të investitorëve.

 

Avantazhet e GSRM

 

GSRM sjell këto avantazhe:

 

§         Rrit transparencën në tregun me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë;

 

§         Krijon mundësinë e informimit të vazhdueshëm e në kohë reale  të investitorëve;

 

§         Rrit konkurrencën mes operatorëve në treg;

 

§         Zvogëlon kostot operacionale të tregtimit në letra me vlerë të Qeverisë;

 

§         Zvogëlon mundësinë e abuzimeve në treg;

 

§         Krijon mundësi për një mbrojtje më të mirë dhe më efikase të investitorëve;

 

§         Krijon premisat për zhvillimin e mëtejshëm të tregut sekondar të letrave me vlerë.

 

Karakteri Publikues i të Dhënave në GSRM

 

Subjektet e licencuara për të operuar në tregun me pakicë janë të detyruara të publikojnë  në GSRM të dhënat ditore mbi kuotimet dhe transaksionet e ekzekutuara në letra me vlerë të Qeverisë, sipas afateve specifike të maturimit.

 

Kujdes: Të dhënat e publikuara në GSRM kanë vetëm karakter “informues” dhe jo “detyrues”. Kjo do të thotë që operatorët e liçencuar nga AMF, ruajnë të drejtën për të negociuar me klientët e tyre mbi çmimin, sasinë apo çdo të dhënë tjetër që ka lidhje me transaksionet në tregun me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë.

 

Arkiva e të Dhënave

 

GSRM do të përfshijë edhe një bazë të dhënash, e cila do t’i vijë në ndihmë personave të interesuar për të kërkuar në historikun e të dhënave të tregtimit të letrave me vlerë të Qeverisë.

 

Si Mund të Shikohen Rezultatet e GSRM

 

Sistemi GSRM është futur në zbatim duke nisur nga data 1 Dhjetor 2007. Që nga kjo date ai ështe i hapur për të gjithë publikun i cili mund të shikojë në faqen e internetit të Autoritetit www.amf.gov.al në linkun GSRM rezultate te përdorimit të tij. Për informacion te mëtejshme në lidhje me të dhënat e deritanishme të rregjistruara në sistem, mund të kontaktoni me Autoritetin ne adresen [email protected] ose [email protected] .



[1] Government Securities Retail Market – Tregu me Pakicë i Letrave me Vlerë të Qeverisë