25 Qershor 2009

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Maj 2009

Në periudhën Janar - Maj 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 298,816 duke shënuar një rritje prej rreth 31% në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet.Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 3,288 milionë lekë, shifër kjo 25% më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm  zënë 54 % të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2009 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 54 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në Janar - Maj të vitit 2009 janë rreth 1,186 milionë lekë ose 2.4% më shumë se periudha Janar - Maj 2008 ndërsa numri i kontratave ka pësuar një ulje prej 3% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.
  • Në periudhen Janar - Maj 2009, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 519 milionë lekë, ose 31% më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2008, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 1 % krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
  • Të ardhurat e Sigurimit Kufitar, gjatë kësaj periudhe 5-mujore të vitit 2009 shënuan një rritje me 29% krahasuar me periudhën Janar - Maj 2008 dhe numri i kontrave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 12% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi vullnetar

Në periudhen Janar - Maj 2009,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,503 milionë lekë me një rritje prej 49% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë, dhe po me të njejtën shifër rreth 74% rritje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo - Jetës u rritën me rreth 54% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 779 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 48% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 31% dhe më pas vjen  sigurimi i garancive  me 11%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 12 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 28% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në Janar-Maj të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë vazhdojnë të ruajnë dinamikën më të lartë të rritjes. Rritja e këtij portofoli me rreth 101% krahasuar me Janar-Maj të vitit 2008, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë shumëfishuan rritjen në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinjerike.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën Janar - Maj të vitit 2009 arritën në rreth 174 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 83% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 75% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit lidhet si me rritjen e të ardhurave të sigurimit të shëndetit në udhëtim dhe me rritjen e të ardhurave të shëndetit privat.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 284 milionë lekë me një rritje prej 29% krahasuar me Janar- Maj të vitit  2008.

Peshën më të madhe prej rreth 65% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në Janar - Maj të vitit 2009 ishte rreth 656 milionë lekë, ose 27 % më shumë se në Janar - Maj të vitit 2008.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 588 milionë lekë, apo 90% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Kasko Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

          në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2008

2009

                  Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

93

97

Karton Jeshil

544

687

Kasko

86

100

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar - Maj 2009 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - maj 2009 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - maj 2009 (në versionin PDF) klikoni këtu