16 Tetor 2009

Miratohet në seancë plenare, në Kuvendin e Shqipërisë, projektligji “Për obligacionet e shoqërive aksionare dhe qeverisë vendore”

Kuvendi i Shqipërisë, më datë 15 tetor 2009, miratoi në seancë plenare projektligjin “Për obligacionet e shoqërive aksionare dhe qeverisë vendore”.

Ky ligj zbatohet për obligacionet e:

a) shoqërisë aksionere, me zyrë qendrore në Republikën e Shqipërisë;dhe
b) qeverisë vendore.

Qëllim i këtij ligji është përmirësimi i bazës ligjore, zhvillimi i tregut të kapitaleve dhe mbrojtja e investitorëve. Ligji i obligacioneve u hartua edhe në kuadër të ndryshimeve që pësoi legjislacioni shqiptar në lidhje me ligjin publik financiar dhe tregtar, veçanërisht në lidhje me ligjet e e reja të aprovuara “Ligji për Titujt” dhe “Ligji për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” me qëllim që të arrihet përfshirja e ligjit të obligacioneve në mënyrë harmonike me ligjet në fjalë.

Struktura e ligjit aktual është në gjendje të lejojë me lehtësi të modernizimit të mundshëm duke përfshirë dispozita për tipe të reja të huave të obligacioneve, sipas tendencave ndërkombëtare dhe kërkesave të tregut vendor.

Ky ligj do të mundësojë krijimin e një tregu obligacionesh në vendin tonë, treg i cili është i nevojshëm për t’u dhënë mundësi shoqërive aksionare dhe njësive të qeverisjes vendore që të rrisin  nivelin e huasë, në kushtet kur sektori bankar nuk ka mundësi të të mbështesë më tej me kredi bankare. Funksionimi i këtij tregu do të ndikojë në zgjerimin e tregjeve financiare që veprojnë në vendin tonë, ku norma e interesit të obligacioneve do të përcaktohet nga tregu, si dhe rritjen e kapitalit dhe të investimeve në ekonomi.