20 Tetor 2009

Mbi zhvillimin e Konferencës Vjetore të IAIS

IAIS, (Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime) në bashkëpunim me SUSEP (Institucioni i Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Brazil) , do të zhvillojë gjatë periudhës  21-24 tetor 2009, në Rio de Janeiro, Brazil,  konferencën vjetore me temë: “Sigurimet si mjet i zhvillimit social-ekonomik, kriza financiare dhe e ardhmja e tregjeve te sigurimit."
Kjo konferencë zhvillohet menjëherë pas mbledhjeve të rregullta të grupeve të punës së IAIS.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, kryesuar nga Zj. Elisabeta Gjoni, Kryetare,  merr pjesë në këto mbledhje si anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate.

Konferenca vjetore e IAIS-it në të cilën do të marrin pjesë rreth 450 pjesëmarrës, është evenimenti më i rëndësishëm i vitit i kësaj organizate. Ajo mbledh të gjithë anëtarët dhe vëzhguesit e saj nga mbarë bota, profesionistë të fushës dhe pjesëmarrës të tregut të sigurimeve.  Objektivi kryesor i konferencës është të diskutojë problemet e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve, zhvillimet dhe konvergjencat e mekanizmave rregullatorë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Konferenca do të jetë një mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe risive më të reja në tregun e sigurimeve, veçanërisht në kushtet aktuale të krizës globale që ka prekur edhe tregun botëror të sigurimeve. Do të eksplorohen sfidat më të cilat do të përballen mbikëqyrësit e sigurimeve, me qëllim zhvillimin më me efiçencë të sistemit të mbikëqyrjes së këtij tregu.

Diskutimet e nivelit të lartë në panelet e konferencës do të përfshijnë tema si: “Leksionet nga kriza për mbikëqyrësit e tregut të  sigurimeve”, “Ndërtimi i një arkitekture të re për mbikëqyrësit e sigurimeve”, “Zhvillimet globale në kuadrin rregullator të aftësisë paguese dhe mbikëqyrjes”, “Qeverisja e korporatave dhe menaxhimi i riskut”, si dhe “Bashkëpunimi midis mbikëqyrësve”.

Konferenca do të analizojë zhvillimet e këtij tregu, si dhe do të promovojë politikat dhe strategjitë e mëtejshme të tij për një koordinim sa më të mire te punës në rang ndërkombëtar.

Material i nxjerrë nga Shoqata Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Sigurimeve (IAIS), tetor 2009.


Për të lexuar materialin e plotë në gjuhën angleze, klikoni këtu