17 Nentor 2009

U zhvillua aktiviteti mbi “Prezantimin e sistemit të ri të raportimit elektronik të mbikëqyrjes, AMF In-Reg”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, zhvilloi më datë 17 nëntor 2009, në ambientet e hotel “Rogner Europapark”  aktivitetin  lidhur me Prezantimin e sistemit të ri të raportimit elektronik të mbikëqyrjes, AMF In-Reg, një platformë raportimi me bazë Web-i. Sistemi AMF In-Reg  po ndërtohet nga AMF mbështetur nga  Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetarja e AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni, ku midis të tjerave prezantoi rëndësinë  dhe avantazhet e sistemit të ri të raportimit AMF In-Reg. Ky sistem do te përdoret për grumbullimin e të dhënave dhe më tej përpunimin e tyre, me synim gjenerimin e raporteve dhe evidentimin në kohë të problemeve. Zbatimi i platformës elektronike të raportimit dhe analizës, synon monitorimin nga afër të gjendjes financiare dhe aftësisë paguese të operatorëve në treg.

Në  vijim, Drejtori  Përgjithshëm i Grupit Vizor, Z. Martin Murnaghan, prezantoi produktin In-Reg e Zj. Alma Qamo, Këshilltare në AMF, prezantoi bashkësinë së formave e axhendën paraprake të zbatimit në bashkëpunim me tregun.

Gjatë takimit u demonstrua funksionimi i platformës elektronike të raportimit, nga Z. Matt Cusack, Drejtues i Projektit, Vizor,  i cili në detaje tregoi funksionimin e programit dhe elementeve përbërës të tij. Paketa e re e raportimit ka realizuar edhe përputhshmërinë me standardet SNRF, të cilat janë në fuqi në Shqipëri që nga fundi i vitit 2008. Infrastruktura garanton siguri, besueshmëri dhe konfidencialitet në transmetimin dhe mbajtjen e informacionit.

Fillimisht, platforma do të fokusohet tek shoqëritë e sigurimit dhe fondet e pensioneve dhe në një të ardhme të afërt ajo do të zgjerohet pa kërkuar modifikime të mëdha edhe për mbikëqyrjen e tregut të letrave me vlerë në Shqipëri.

Temat e trajtuara u ndoqën me mjaft interes e pati diskutime, nga Drejtorët e Përgjithshëm të Shoqërive të Sigurimit,  Brokerimit, Instituteve Private të Pensioneve Suplementare, Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, Bankës së Shqipërisë, Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës (AQBK), etj. 


Për të lexuar prezantimin e mbajtur nga Kryetarja e AMF-së, zj. Elisabeta Gjoni, klikoni këtu.

Për të lexuar prezantimin e mbajtur nga Zj. Alma Qamo, Këshilltare pranë AMF, klikoni këtu.