9 Maj 2007

Intervistë me kryetaren e AMF, zj.Elisabeta Gjoni. Revista "Monitor", datë 09.05.2007

Liberalizimi i TPL-ve, në 2008

Ndryshime të shumta priten të ndodhin në të ardhmen në tregun shqiptar të sigurimeve. Përveç hyrjes së shoqërive të huaja të sigurimit, po merren një sërë masash për rregullimin e këtij tregu, duke filluar nga rishikimi i kuadrit ligjor, skemat për katastrofat natyrore, shtimin e llojeve të sigurimeve të detyrueshme e deri te liberalizimi i tarifave të detyrueshme të sigurimeve motorike. Të gjitha këto ndryshime të pritshme i shpjegon në një intervistë për revistën “Monitor”, kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, zj.Elisabeta Gjoni.

Si do ta vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve gjatë viteve të fundit?
Tregu i sigurimeve, që po vepron prej gati 10 vjetësh në tregun shqiptar, ka shënuar një ecuri me luhatje të ndryshme gjatë këtyre viteve. Në vitin 1999, kur hynë në treg shoqëritë e para private, u vu re një ritëm mjaft i lartë rritjeje prej 50%. Ndërsa në vitin 2003 kur hynë disa kompani të tjera ka ngadalësim të ritmeve dhe në vitin 2005 një rënie të tregut, që mund të jetë dhe problem në raportim. Kjo tregon që nga numri i lartë i shoqërive relativisht për një treg të kufizuar vetëm në një lloj produkti të detyrueshëm, siç është sigurimi i detyrueshëm motorik, ka ardhur një konkurrencë e ashpër. Në ndryshim nga ecuria e 4-5 viteve përpara, kur rritja mesatare e tregut ishte 4.5%, në 2006 kemi një kapërcim me një rritje vjetore 12%, referuar volumit të primeve bruto. (Grafiku 1). Ka dy faktorë që kanë ndikuar, së pari në mars të vitit 2006 ka një rritje të çmimit mesatar, sepse u rivendosën çmimet sipas kapacitetit të automjetit. Megjithatë nuk është vetëm efekti i çmimit, por së dyti është edhe rritja e aktivitetit, ku rreth 9.5% është rritur numri i kontratave. Gjatë vitit 2006 pati një nismë për vetërregullim të tregut nga vetë shoqëritë e sigurimit, me krijimin e një agjenti të përbashkët për TPL-në motorike si dhe Kartonin Jeshil, me synimin për të evituar në një farë mase abuzimet që bëheshin dhe të mbijetonin në atë konkurrencë të egër në treg. Nga ana praktike, kjo nismë vetërregulluese pati ndikime të ndjeshme financiare te shoqëritë e sigurimit.
 
Pra, megjithëse rritja e tregut të sigurimeve në vitin 2006 është një rritje e kënaqshme, po të shikojmë në 10 vjeçar, ose 4-5 vitet e fundit, duke pasur parasysh që është një treg i ri, rritja është akoma e vogël. Shkalla e depërtimit të produkteve të sigurimit në Shqipëri, si duke iu referuar primeve për frymë ose në përqindje të PBB-së, apo vlera e aktiveve është shumë e ulët, në krahasim dhe me të gjitha vendet e rajonit. (Grafiku 2) Kjo nga njëra anë flet dhe për potencialet e mëdha të rritjes së këtij tregu. Tregu i sigurimeve ka një shkallë të ulët depërtimi, sepse ka mbetur i kufizuar në sigurimin e detyrueshëm motorik, i cili dominon me 66% të totalit, 34% e zë sigurimi vullnetar. Gjithsesi, sigurimet vullnetare, megjithëse janë në një përqindje relativisht të ulët kanë rritje dy vitet e fundit. Rritja sidomos e sigurimeve të pronës dhe të jetës në vitin 2006 lidhet me zgjerimin e kredisë bankare. Është bërë standard tashmë që me dhënien e kredisë, kërkohet të sigurohet kolaterali në formën e pronës, së bashku me jetën e kredimarrësit. Pra, shikojmë lidhjen e zhvillimeve të segmenteve të ndryshme të sektorëve financiarë. Sigurimet përbëjnë sektorin e dytë në sektorin financiar, pas atij bankar. Me zhvillimin e kredisë dhe sektorit bankar ky ndikim do të vazhdojë të ndihet akoma edhe në sektorin e sigurimeve. Ne si mbikëqyrës e vëzhgojmë me shumë kujdes këtë fenomen në ndjekje të parametrave teknike dhe financiare të kompanive të sigurimit, me synimin për të shmangur rrezikun potencial të transferimit të riskut nga sektori bankar në atë të sigurimeve. Problemi i transferimit të rrezikut nga një sektor financiar në tjetrin, sidomos nga bankat te sigurimet apo letrat me vlerë ekziston aktualisht në Botë dhe sa më shumë instrumente transmetimi të ketë, aq më i madh është rreziku. Te ne mund të jenë fillimet e para, megjithatë ne mundohemi ta ndjekim kur është fjala për klasat e sigurimeve financiare. Ndër zhvillimet e fundit në sektorin financiar duhet të përmend krijimin e një autoriteti rregullator të vetëm për sektorin financiar jo-bankar. E quaj këtë një arritje, sepse është një nismë për të krijuar një rregullator të pavarur për vendosjen e standardeve të njëjta trajtimi të të gjithë sektorëve, për të shuar dhe ndikimet potenciale apo reale politike, apo të grupeve të ndryshme, të cilat deformojnë zhvillimin e biznesit.

Kohët e fundit, ka pasur hyrje të kompanive të huaja në tregun shqiptar të sigurimeve. Pse po ndodh pikërisht tani dhe çfarë pritet të ndryshojë në këtë treg pas hyrjes së tyre?

Janë katër shoqëri shqiptare sigurimesh, që janë në përfundim të negociatave me katër kompani të huaja: Interalbanian ka përfunduar procesin e shitjes te një shoqëri e njohur greke, ASPIS, me profil te sigurimet shëndetësore dhe të jetës; Sigal është në marrëveshje me kompaninë e njohur austriake UNIQA, dhe kjo me profil të theksuar të sigurimeve shëndetësore dhe të jetës; Albsig-u me një kompani izraelite (GMUL, grup me aktivitet financiar); dhe Sigma në negociata fillestare po me një kompani austriake. Këtë hyrje të shoqërive të huaja ne e shikojmë si një ndër zhvillimet më pozitive, që do të ketë ndikime të theksuara në radhë të parë në treg, sidomos në prezantimin e produkteve të reja dhe kjo do të krijojë frymëmarrje për të gjithë biznesin, sepse do të shkëputen nga konkurrenca e kufizuar në sigurimet motorike. Ne si rregullator e shikomë si një ngjarje të rëndësishme në drejtim të zhvillimit të një biznesi me një filozofi të re, në bazë të standardeve europiane, e orientuar drejt konsumatorit, me përmirësim të treguesve kryesorë siç janë ato të dëmeve, shpenzimeve, risigurimeve, etj. Nga bisedat e bëra me kompanitë e huaja që po hyjnë, kemi parë që synojnë jo vetëm zhvillimin e biznesit, por dhe sjelljen e koncepteve të reja, të një mënyre të re të të bërit biznes.

Hyrja e shoqërive të huaja të sigurimit, pikërisht tani, lidhet dhe me një ambient të stabilizuar makroekonomik, potencialet e tregut, duke pasur parasysh shkallën e ulët të depërtimit, si dhe me një lloj besimi që ngjall një rregullator asnjanës. Kjo ka përkuar dhe me synimet e kompanive, sidomos atyre austriake, për të zgjeruar aktivitetin e tyre në rajon.
 
Cilat janë masat kryesore që po merr Autoriteti Mbikëqyrjes dhe Rregullator për zhvillimin e tregut të sigurimeve?   

Objektivi kryesor i yni është mbrojtja e konsumatorit në dy drejtime kryesore, në radhë të parë përmirësimin e cilësisë së produkteve e shërbimeve dhe së dyti, rritjen e transparencës që përfundon në përmirësimin e koeficientit të dëmeve, me një pagim më të mirë si sasi, cilësi dhe kohë të dëmeve ndaj konsumatorit. Për shoqëritë e sigurimit, si biznese me bazë besimin, është e rëndësishme të kenë këtë imazh, që krijohet vetëm kur mbahen përgjegjësitë e marra, paguhen dëmet. Tjetër synim është që të vendosim standardet ndërkombëtare për mbikëqyrjen, për të vepruar në analizë mbi bazë rreziku. Ajo që është kryesore te ne është të evidentojmë rreziqet që janë të vlefshme në Shqipëri, të vlerësohen nga ana sasiore dhe kompanitë të veprojnë në arritjen e parametrave teknikë që të përballojnë përgjegjësitë që ato marrin. Kjo është një metodologji e re, që kërkon një filozofi dhe metodikë të re dhe bashkëpunim të madh me kompanitë. Në politikën tonë vendosja e një dialogu të strukturuar me kompanitë ka qenë parimi kryesor, jo vetëm për vendosjen e standardeve të rregullimit e mbikëqyrjes, por edhe për zhvillimin e biznesit me produkte të reja.

Nga praktikat e deritanishme ka dalë e nevojshme që të rishikohet kuadri ligjor i sigurimeve. Sigurimet rregullohen nga tre ligje, ai i AMF-së, që i jep kopetencat kryesore autoritetit rregullues; ligji i sigurimeve dhe risigurimeve, i cili relativisht është i ri, i vitit 2004, por që praktika tregon se ka shumë nevojë për saktësime dhe përmirësime dhe mund t’i nënshtrohet një amendimi; si dhe ligji i sigurimeve të detyrueshme motorike, që është i ’93-shit, që koha tregon se ka nevojë të zëvendësohet me një ligj të ri. Pikërisht për këtë ne do të bashkojmë përpjekjet me biznesin e sigurimeve dhe me asistencën e Bankës Botërore, që të realizojmë përmirësimet. Rezultat kryesor i rishikimit të kuadrit ligjor do të jetë jo vetëm vendosja e rregullave standarde dhe bashkëkohore, por dhe krijimi i një arkitekture institucionale të sigurimeve, në përshtatje me këto standarde. Me këtë arkitekturë kuptohen lidhjet dhe varësitë e autoritetit rregullator, byrosë motorike të Kartonit Jeshil, bizneseve, shoqatës, Ministrisë së Financave, të transporteve dhe aktorëve të tjerë që lidhen me to.

Kohët e fundit, ka pasur debate të shumta për shkak të marrëveshjes mes shoqërive të sigurimit (sigurimin e detyrueshëm dhe shitjen e Kartonit Jeshil), të cilat sipas Autoritetit të Konkurrencës janë marrëveshje të ndaluara me pasoja kufizuese për konkurrencën, mbasi fikson çmimin dhe ndan tregun. Cili është qëndrimi juaj?                                               

Ne me autoritetin e konkurrencës kemi nënshkruar në fund të vitit 2006 një marrëveshje mirëkuptimi që synon shkëmbim të informacioneve konfidenciale në drejtim të kryerjes së funksioneve ligjore për secilin autoritet. Autoriteti i Konkurrencës ka pasur rast trajtimi ndërmjetësit e sigurimeve. Cili është opinioni ynë për këtë? Krijimi i agjentëve të përbashkët njihet në praktikën e sigurimeve, por të përbashkët nuk do të thotë një i vetëm për të gjithë tregun. Po ta shikojmë nga pikëpamja praktike, nisma e shoqërive të sigurimit për të krijuar një agjent të vetëm për produkte të caktuara si p.sh., për Kartonin Jeshil, sigurimet motorike të detyrueshme, apo policat kufitare, erdhi si rezultat i një konkurrence aq të ashpër brenda një produkti shumë të kufizuar në çmim dhe në sasi, e cila ishte një përpjekje për vetërregullim, për të shuar deri në një farë mase abuzimet. Nga pikëpamja praktike pati rezultate financiare, solli ruajtjen e çmimit, d.m.th. shitjen e kontratave në çmim minimal dhe pati një efekt në ecurinë financiare të shoqërive në vitin 2006, në vëllimin e primeve bruto. Por, kuptohet duke qenë një skemë e ngritur mbi një ndarje tregu me marrëveshje paraprake, preken edhe parimet që i trajton Autoriteti i Konkurrencës. Kuptohet që këto marrëveshje ishin të përkohshme sepse dhe zgjerimi i produkteve dhe vendosja e një sjellje të re nuk mund të vazhdonte më me marrëveshje paraprake të ndarjes së tregut. Ne në trajtimin e agjentëve dhe ndërmjetësve po punojmë për të futur standardet, për të ngritur kritere të caktuara dhe tiparet e plota që duhet të ketë një agjent. Mund të ketë agjent të përbashkët, kuptohet, por gjithnjë brenda parimeve e konkurrencës.

Disa drejtues të shoqërive private të sigurimeve kanë një ide për të shkuar drejt liberalizimit të çmimit të TPL-ve. Si e vlerësoni ju këtë ide?

Alternativë mund të ishte dhe liberalizimi i çmimit për sigurimet motorike të automjeteve. Miratimi nga parlamenti i rritjes së fondit të garancisë në standardet europiane, rreth 3 milion euro për të gjitha klasat e bizneseve të sigurimeve, që do të plotësohet me tre transhe deri në fund të marsit të vitit 2008, do të krijojë kushtet për një liberalizim të tregut. Kuptohet që kjo do të shoqërohet dhe me zgjerimin e produkteve vullnetare dhe të jetës. Pra, është një ndër objektivat tona dhe të tregut, liberalizimi i çmimeve motorike, por premisat kryesore do të krijohen siç thamë, pasi të plotësohet fondi i garancisë në nivelin 3 milion euro. Kjo shoqërohet dhe me një sërë projektesh që kemi ne si mbikëqyrje në bashkëpunim me tregun. Është e nevojshme që ashtu si dhe në vendet e tjera të kemi një qendër kombëtare të raportimit të dëmeve, që do të ketë gjithë serinë e të dhënave të dëmeve, që në kushtet e liberalizimit të primeve motorike të zbatohen sistemet ndërkombëtare, që çdo klient paguan në bazë të historisë së tij, moshës dhe faktorëve të tjerë.

Pra, ka një sërë projektesh që duhet të mbështesin kushtet e liberalizimit, përveç anës financiare. Përfaqësuesit e sigurimeve kanë kërkuar zgjerimin e gamës së produkteve të detyrueshme. Sa e realizueshme është kjo?

Meqë shkalla e depërtimit është shumë e ulët, zhvillimi i sigurimeve të përgjegjësive ndaj palëve të treta, sidomos kur bëhet fjalë për përgjegjësi kolektive siç janë sigurimi i pikave të karburantit, në ndërtime, infrastrukturë, hoteleri do të ishte një domosdoshmëri nga pikëpamja e biznesit, por do t’i jepte një impuls të ri zhvillimit të tregut të sigurimeve. Mënyrat e futjes në treg të këtyre produkteve nuk janë vetëm nëpërmjet përfshirjes në ligje të veçanta, por dhe nëpërmjet përfshirjes në kërkesat për licensimet e këtyre aktiviteteve, apo kërkesat për zhvillimin e prokurimeve të ndryshme, në parashikimin e fondeve për sigurime në prokurime të ndryshme, apo sigurimet në vlera fare të vogla për jetën e studentëve, në fillim të vitit, pra ka shumë hapësira.

Një projekt, për të cilin ka filluar diskutimi, është ngritja e një skeme sigurimi për katastrofat natyrore, tërmetet, përmbytjet, e cila është një tendencë që po ndiqet nga të gjitha vendet, aq më tepër nga cilësimet e vendit tonë. Ngritja e këtyre skemave që zakonisht mbështeten dhe nga organizatat ndërkombëtare do të krijonte jo vetëm një lehtësi të madhe për fondet qeveritare, por dhe mundësinë reale të rikuperimit të dëmeve. Shoqëritë e sigurimit do të luanin rol në shpërndarjen p.sh., të primeve për këtë qëllim, apo shërbime të tjera.

Deri pak kohë më parë tregu i sigurimeve është karakterizuar nga një konkurrencë jo e ndershme, me shitjen e policave nën kosto. A jeni në dijeni ju, nëse kjo situatë vazhdon aktualisht?

Prishja e marrëveshjes që u bë objekt i trajtimit nga Autoriteti i Konkurrencës kuptohet që u shoqërua dhe shoqërohet edhe sot edhe me devijime nga respektimi i çmimit dhe i rregullave në sigurimet motorike. Zakonisht, rastet kanë të bëjnë me abuzimet me kapacitetet e automjeteve. Si autoritet e kemi ndjekur aq sa mund të kapim shmangie të tilla dhe janë marrë masa të korrektimit të këtyre problemeve, që fillojnë nga këshillimet e deri në pezullimet e përkohshme të licencës. Jemi në një përpjekje të përbashkët për përmirësimin e sistemit informatik, që do të kontribuojë në një farë mase për uljen e abuzimeve. Megjithatë kontributi kryesor është tek vetë kompanitë, sepse nuk mund të kontrollohet çdo rast abuzimi, ne aktualisht i ndjekim me sondazh.