11 Dhjetor 2009

Miratohen në seancë plenare, në Kuvendin e Shqipërisë, ligjet “Për fondet e pensionit vullnetar” dhe “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”

Kuvendi i Shqipërisë, më datë 10 dhjetor 2009, miratoi në seancë plenare Ligjin nr. 10 197 , datë 10.12.2009 "Për fondet e pensionit vullnetar" dhe Ligjin nr. 10 198, datë 10.12.2009 "Për sipërmarrjet e investimeve kolektive".

Këto dy ligje priten të  dekretohen nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Nisur nga risitë dhe përmirësimet që sollën, Kuvendi i Shqipërisë, i miratoi me të gjithë votat e deputetëve të pranishëm në sallë.

I. Ligji nr. 10 197, datë 10.12.2009 "Për fondet e pensionit vullnetar" u hartua me qëllim përmirësimin e sistemit ekzistues të pensioneve vullnetare në Shqipëri me ndikime të pritshme, në:
  • lehtësimin në planin afatgjatë të kostove sociale duke stimuluar shtetasit të kursejnë privatisht dhe vullnetarisht për të shtuar pensionin e tyre;
  • shtimin e nivelit të kursimit të popullatës dhe rritjen e investimeve afatgjata në vend.

Ky ligj përmban disa risi, ndër të cilat më kryesoret janë:

  • Rregullon krijimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e fondeve të pensionit vullnetar me kontribute të përcaktuara duke ndryshuar skemën aktuale të funksionimit të kolonës së tretë. Në qendër të skemës së propozuar është vendosur shoqëria administruese, e cila do të administrojë dhe investojë fondet e pensioneve duke u udhëhequr vetëm dhe ekskluzivisht nga interesi më i mirë i anëtarëve të fondit të pensionit.
  • Përcaktimi në përputhje me Direktivat Evropiane i kërkesave të vendosura për mjaftueshmërinë e kapitalit të shoqërisë administruese. Struktura ligjore e shoqërisë administruese është përcaktuar në këtë ligj dhe ajo themelohet si shoqëri aksionare.
  • Ndan konceptin e administrimit të fondit nga vetë fondi i pensionit. Fondi i pensionit është konceptuar si një grup asetesh, i krijuar mbi bazë kontrate. Ligji rregullon të gjitha procedurat e anëtarësimit, pezullimit të anëtarësimit, transferimit në një fond tjetër pensioni dhe tërheqjes nga fondi i pensionit.
  • Parashikon detyrimin e shoqërisë administruese, për të depozituar asetet e fondit në një depozitar, duke përcaktuar në detaj shërbimet që ofron ky i fundit. Shërbimet e depozitarit mund të kryhen vetëm nga banka. Funksionet dhe detyrat kryesore të depozitarit janë ruajtja e aseteve të fondit dhe garantimi i llogaritjes së vlerës neto të aseteve të fondit. Depozitari nuk mund të jetë palë e lidhur me shoqërinë administruese.
  • Sjell një koncept të ri mbi kriteret që duhet të plotësojnë aksionarët dhe administratorët e shoqërisë administruese duke parashikuar se ata duhet të jenë të aftë dhe të përshtatshëm (fit and proper) për të marrë përsipër këto role. Ligji ka parashikuar dispozita të veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit për këta persona gjatë ushtrimit të roleve të tyre në shoqërinë administruese. Në këtë mënyrë, ligji ka synuar rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së këtyre personave, të cilët administrojnë kontributet në fondet e pensionit vullnetar.
  • Parashikon lehtësira tatimore me qëllim nxitjen e shtetasve shqiptarë për të kontribuar në fondet e pensionit vullnetar. Krahas parashikimit të të drejtave të anëtarëve, parashikon edhe lehtësirat tatimore që u ofrohen vetë anëtarëve, si dhe individëve të tjerë që kontribuojnë në emër dhe për llogari të anëtarit të fondit të pensioni vullnetar. Nxitet pjesëmarrja duke futur politikën e lehtësirave tatimore sipas modelit EET[1] që nënkupton tatim vetëm në momentin e marrjes së përfitimit. Këto lehtësira fiskale të propozuara, nuk kanë ndikim negativ në situatën aktuale buxhetore, pasi fondet private të pensioneve janë akoma në një stad të vogël zhvillimi. Përfitimet, në aspektin social dhe investimet afatgjata në ekonomi, kompensojnë efektet e lehtësimit fiskal në të ardhmen.
  • Në ligj janë parashikuar politikat e investimit të shoqërisë administruese, të cilat janë hartuar në përputhje me parimet e diversifikimit të riskut duke pasur parasysh edhe mësimet nga kriza aktuale financiare botërore. Në këto dispozita rëndësi u është kushtuar përcaktimit të klasave të investimeve të pa lejuara duke shprehur në këtë mënyrë detyrimin e qartë të shoqërisë administruese për të mos investuar në instrumente financiarë që nuk janë të listuar ose që nuk tregtohen në bursë, në tregun ndër bankar ose në tregje të tjera të rregulluara nga autoritetet përkatëse.
  • Forcon rolin e Autoritetit në mbikëqyrjen e fondeve të pensioneve nëpërmjet parashikimit të masave parandaluese dhe korrigjuese ndaj të gjithë të licencuarve. Dispozitat rregullojnë gjithashtu vendosjen nën administrim të veçantë të të licencuarve, të drejtën e pezullimit të licencës ose revokimit të licencës, likuidimin dhe falimentimin e shoqërisë administruese. Mënyra e re e mbikëqyrjes, përqendrohet në mbrojtjen e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit, në përmirësimin e mirëqeverisjes, besueshmërisë dhe transparencës së shoqërisë administruese, duke trajtuar me vëmendje më të madhe çështjet që paraqesin risk më të lartë. Kompetencat mbikëqyrëse të AMF-së janë hartuar në përputhje me parimet e mbikëqyrjes së pensioneve private sipas udhëzimeve të IOPS[2].
  • Pjesë e rëndësishme e këtij ligji janë dhe dispozitat për shkëmbimin e informacionit me autoritete homologe dhe ruajtja e konfidencialitetit në respektim të jetës private të çdokujt.
  • Parashikon dhe vepra të reja penale si dhe sanksionet përkatëse. Shkelja e detyrimeve ligjore nga të licencuarit sipas këtij projektligji do të përbëjë vepër penale dhe do të dënohet me gjobë ose burgim kur kjo vepër ka sjellë pasoja të rënda.

Ligji nr. 10 197, datë 10.12.2009 "Për fondet e pensionit vullnetar", është hartuar në përputhje me direktivat/rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian, si dhe me udhëzimet e OECD[3] - IOPS për administrimin e fondeve të pensionit suplementar vullnetar.

Aktorët pjesëmarrës në hartimin e këtij ligji janë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare si dhe ekspertë të Bankës Botërore dhe ekspertë lokale.

II. Ligji nr. 10 198, datë 10.12.2009 "Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive" është një përpjekje serioze për të trajtuar dhe rregulluar investimin masiv të kursimeve në ekonomi përmes skemave te investimit kolektiv në portofole titujsh.

Qëllimi i këtij ligji është plotësimi i kuadrit ligjor në fushën financiare, fokusuar në tregun e titujve, në përputhje me standardet bashkëkohore, si një domosdoshmëri që i përgjigjet zhvillimeve aktuale në vend. Ligji synon të krijojë një ambient të përshtatshëm dhe të rregulluar për të nxitur zhvillimin e tregjeve të kapitalit.

Investitorët në sipërmarrjet e investimeve kolektive janë individë dhe institucione financiare, dhe secili prej këtyre grupeve të interesit kanë nevojë për nxitje, për të investuar. Investitorët individë zakonisht janë të prirur drejt investimeve afatshkurtër, ndërkohë qe investitorët institucionalë zakonisht janë të prirur të jenë pjesë e strategjive të investimeve afatgjata në tregun e titujve, pra në bursë, duke ndihmuar kështu në krijimin e një tregu të qëndrueshëm. Vënia në zbatim e këtij ligji do të krijojë pikërisht hapësirën e duhur për zhvillimin dhe rritjen e tregut të titujve.

Një nga objektivat kryesorë të ligjit është të sigurojë një mbrojtje efektive të interesave të investitorëve, të cilët nxiten nga ofertat e operatorëve të këtyre sipërmarrjeve. Për këtë qëllim, ligji parashikon ndalimin e promovimit të sipërmarrjeve të investimeve kolektive në publik, për sa kohë që nuk janë licencuar nga AMF. Asnjë shoqëri administruese nuk mund të fillojë promovimin, reklamimin, tregtimin, ose ofertën për shitje të kuotave apo aksioneve të një sipërmarrjeje investimi kolektiv pa autorizimin e AMF-së.

Ligji përcakton kushtet dhe kriteret për themelimin, regjistrimin dhe funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, të shoqërive administruese të tyre si dhe rregullon çështje të tilla si emetimin dhe shitjen e kuotave, llogaritjen e vlerës neto të kuotave, shlyerjen e tyre; promovimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive; veprimtaritë e kryera nga palët e treta për llogari të sipërmarrjeve të investimeve kolektive; realizimin e mbikëqyrjes nga ana e AMF-së mbi veprimtarinë e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, shoqërive administruese, depozitarët dhe personat e përfshirë në shitjen e kuotave dhe aksioneve.

Ky ligj përmban disa risi, ndër të cilat më kryesoret janë:

  • Parashikon dy lloje të sipërmarrjes së investimeve kolektive, njëra e emërtuar "Fond Investimi", që nënkupton një fond me pjesëmarrje të hapur, i krijuar në bazë të një kontrate, nëpërmjet ofertës publike të kuotave. Lloji i dytë i sipërmarrjes së investimeve kolektive është "Shoqëria e Investimit", që nënkupton një sipërmarrje me pjesëmarrje të mbyllur, e themeluar si shoqëri aksionare në bazë të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë, e cila mund të jetë me ofertë publike ose me ofertë private dhe aktiviteti i vetëm tregtar i së cilës do të konsistojë në kryerjen e investimeve sipas kërkesave të projektligjit.
  • Ligji i jep një rol thelbësor shoqërisë administruese të sipërmarrjeve kolektive. Ai parashtron standarde bashkëkohore për kriteret që duhet të plotësojnë aksionarët dhe administratorët e shoqërive administruese duke parashikuar se ata duhet të jenë të aftë dhe të përshtatshëm për të marrë përsipër këto role, përmban dispozita të veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit për këta persona gjatë ushtrimit të roleve të tyre në shoqërinë administruese. Në këtë mënyrë, ligji ka synuar rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së personave, të cilët administrojnë fondet e sipërmarrjeve të investimeve kolektive.
  • Sanksionon krijimin e regjistrit të sipërmarrjeve të investimeve kolektive (regjistri i fondeve) i cili do të mbahet nga Autoriteti dhe është i hapur për publikun. Ky regjistër mundëson një transparencë më të plotë ndaj investitorit në veçanti dhe ndaj publikut të gjerë në përgjithësi.
  • Kujdes i veçantë është treguar në lidhje me politikat e investimit për sipërmarrjet e investimeve kolektive, duke përfshirë investimet e lejuara dhe kufizimet e investimit. Duke pasur parasysh kërkesat e Direktivës së BE, është siguruar zbatimi i parimit të difersifikimit dhe kujdesit në investim. Sipërmarrjet e investimeve kolektive sipas këtij ligji, vendosen në pozitë të barabartë me simotrat Evropiane, përsa i përket kushteve në politikat e investimit, përfshirë mundësinë për të investuar në tregje jashtë Shqipërisë.
  • Përfshin disa problematika të veçanta të tilla si detyrimet e agjentëve, procedurat për të ofruar mundësi investimi në Shqipëri nga subjeket të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas, rregulla për marketimin dhe promovimin për sipërmarrje e investimit kolektiv, etj.
  • Një trajtim i veçantë është bërë për depozitarin. Dispozita të ligjit shmangin konfliktet e mundshme të interesit ndërmjet depozitarit dhe shoqërisë administruese, përcaktohet që këta të mos jenë të lidhur me njëri-tjetrin dhe që në veprimtarinë e tyre të mos angazhohen të njëjtët persona.
  • Përmban dispozita të detajuara në lidhje me mbikëqyrjen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të sipërmarrjeve kolektive të investimit, shoqërive administruese të tyre, depozitarëve, etj. Standardet e parashikuara të mbikëqyrjes janë në përputhje me frymën e ligjit të AMF-së, dhe standardet ndërkombëtare të mbikëqyrjes në tregjet e titujve. Ligji parashikon sanksione të përshkallëzuara në rast të thyerjes së dispozitave ligjore.

Në bazë të dispozitave tranzitore, Ligji "Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive"  shfuqizon ligjin e vjetër në fuqi, Ligjin nr. 7979, datë 26.7.1995, "Për fondet e investimit".

Ligji nr. 10 198, datë 10.12.2009 "Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive"  është një shprehje e qartë e vullnetit dhe angazhimit të Republikës së Shqipërisë për përafrimin e ligjeve të saj me ato të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye disa nene të veçanta i janë kushtuar edhe shoqërive adminstruese me seli të regjistruar në një vend të BE-së, të cilat duan të themelojnë një degë në Republikë e Shqipërisë, duke ju ofruar shoqërive të huaja në këtë mënyrë të drejtën për t'u vendosur në Shqipëri dhe për mos t'u trajtuar ndryshe nga shoqëritë e tjera vendase.

Ligji në fjalë, është hartuar në përputhje me Direktivën 85/611/EEC, që rregullon fondet e investimeve, të datës 20 dhjetor 1985 "Për koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe parashikimeve administrative lidhur me sipërmarrjet për investimet kolektive me tituj të transferueshëm", e cila ka për qëllim harmonizimin e ligjeve, rregulloreve dhe parashikimeve administrative për sipërmarrjet e investimeve kolektive me tituj të transferueshëm.


[1]. EET qëndron për shkurtimet në gjuhën Angleze, Exempt, Exempt, Taxed, që do të thotë përjashtim nga taksat në momentin e pagesës së kontributeve, përjashtim nga taksat të kthimit nga investimi dhe taksim në momentin e marrjes së përfitimit/pensionit.
[2]. Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensioneve
[3]. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik