26 Shkurt 2010

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar 2010

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në muajin Janar 2010 arritën rreth 634 milionë lekë, ose 5.33 % më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë muajit Janar 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 41,309 duke shënuar një ulje prej rreth 25.08 %, krahasuar me  muajin Janar 2009. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91.26 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8.74 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 55 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 45 % të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare. Gjatë muajit Janar 2010 është ndjerë dhe një ulje e primeve të shkruara bruto  në sigurimin e detyrueshëm me rreth 19.51% krahasuar me Janar 2009.

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorrike arritën shifrën 286 milionë lekë, ose rreth 19.51 % më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti Sigurim Kufitar gjatë muajit Janar 2010 pati një rritje prej 32.36 % për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 21.59 % krahasuar me Janar 2009.

Ndërsa produktet TPL e brendshme  dhe Karton Jeshil  patën ulje përkatësisht me rreth 10.09 % dhe 47.48 % krahasuar me Janar 2009, numri i kontratave ka pësuar një ulje prej 7.37 % për TPL e brendshme dhe 19 % për Kartonin Jeshil, krahasuar me muajin Janar 2009.

Sigurimi Vullnetar

Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që në Janar 2010 sollën 55 % të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 349 milione lekë, ose 10.60 % më shumë se në  vitin 2009, por me rreth 42.69 % ulje  të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të jo jetës gjatë këtij muaji të parë të vitit patën rritje me rreth 18.50 % kundrejt muajit Janar 2009.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 220 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 61.61 % të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 25.02 % dhe më pas vjen  sigurimi i garancive me 8.17 %.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një ulje prej 2.80 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 93.23 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në Janar të vitit 2010, sigurimet e përgjegjësisë kanë patur një rritje me rreth 39.42 % krahasuar me muajin Janar 2009. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje prej 21.90 % në volumin e primeve të shkruara dhe një ulje me 52.38 %  në numrin e kontratave, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën Janar 2010 arritën në rreth 28 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 3.43 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 67.81 % të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e jetës në Janar 2010 arritën 55 milionë lekë, ose rreth 18.24 % më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve u rritën me rreth 69.33 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 132 milionë lekë, apo 87.42 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Miratimi i ligjit të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit në fillim të vitit 2009 dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, pritet të ndikojë në shkurtimin e afateve dhe rritjen në tërësi të cilësisë së dëmshpërblimit kundrejt të dëmtuarve.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për sigurimin Kasko dhe sigurimin Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

                                                                                                                                                                                     në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2009

2010

                                                                  Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

  88

   115

Karton Jeshil

667

1,518

Kasko

  83

     95

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar 2010 përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar 2010 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar 2010 (në versionin PDF) klikoni këtu