25 Mars 2010

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Shkurt 2010

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën Janar - Shkurt 2010 arritën rreth 1,380 milionë lekë, ose 10 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës Janar -Shkurt 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 85,611 duke shënuar një ulje prej rreth 18 %, krahasuar me Janar - Shkurtin 2009. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 59 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 41 % të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorrike arritën shifrën 569 milionë lekë, ose 17.44 % më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti Sigurim Kufitar gjatë 2-muajve te parë të vitit 2010 pati një rritje prej 39.17 % për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 33.18 % krahasuar me Janar - Shkurt 2009.

Produktet MTPL e brendshme dhe Karton Jeshil, krahasuar me periudhën Janar - Shkurt 2009,  patën një ulje të numrit të kontratave përkatësisht në masën 3.05 % për MTPL-në e brendshme dhe 24.13 % për Kartonin Jeshil, e cila u shoqërua me ulje përkatësisht në masën 5.15 % dhe 49.61 % të volumit të primeve të shkruara bruto në këto portofole.

Sigurimi Vullnetar

Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që në Janar - Shkurt 2010 sollën 59 % të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 812 milione lekë, ose 41.28 % më shumë se në  Janar - Shkurt të vitit 2009, por me 32.72 % ulje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të jo jetës gjatë 2-mujorit të parë të vitit patën rritje me 44.71 % kundrejt muajve Janar - Shkurt 2009.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 537 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 50.83 %  të pasuara nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 37.94 % .

Në Janar - Shkurt të vitit 2010, sigurimet e përgjegjësisë kanë patur një rritje me 210.59 % krahasuar me periudhën Janar - Shkurt 2009. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje prej 92.43 % në volumin e primeve të shkruara dhe një ulje me 29.90 %  në numrin e kontratave, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një ulje prej 1.33 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me 50.19 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën Janar - Shkurt 2010 arritën në rreth 56 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 9.39 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 64 % të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e jetës në Janar - Shkurt 2010 arritën 123 milionë lekë, ose 24.74 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë muajve Janar - Shkurt 2010 u rritën me 32.40 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 282 milionë lekë, apo 89.76 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për këtë lloj sigurimi, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                        në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2009

2010

                                                                          Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

109

   116

Karton Jeshil

544

1,698

Kasko

84

     93

 Kufitare

                      57

               40

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar - Shkurt 2010 përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar  - Shkurt 2010 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Shkurt 2010 (në versionin PDF) klikoni këtu