17 Prill 2007

Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e organizuar nga AMF me temë “Mbi perspektivat e rritjes dhe zhvillimit të tregut të sigurimeve në Shqipëri”

Me iniciativë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, në kuadrin e një komunikimi dhe dialogu të hapur me biznesin, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë (AMF) më datë 27.04.2007, organizoi një takim të Kryeministrit me biznesin e sigurimeve, “Mbi perspektivat e rritjes dhe zhvillimit të tregut të sigurimeve në Shqipëri”. Në takim morën pjesë Kryeministri, Zv/Ministri i Financave, përfaqësues të Kryeministrisë, të vetë sektorit të sigurimeve dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Takimi vuri theksin në rëndësinë dhe rolin jetik të sigurimeve në sektorin financiar, në zhvillimin dhe stabilitetin ekonomik të vendit në përgjithësi. Aktualisht, sektori i sigurimeve zë vendin e dytë në sektorin financiar menjëherë pas atij bankar. Zhvillime shumë pozitive kanë shoqëruar së fundmi industrinë e sigurimeve me hyrjen në treg të investitorëve të huaj prestigjiozë, si edhe me rritjen me 12% të tregut në vitin 2006.

Me gjithë zhvillimet pozitive, sigurimet mbeten ende në nivele relativisht të ulëta për peshën që ato zënë në sektorin financiar dhe ekonominë e vendit në tërësi. Të ardhurat nga sigurimet me rreth 48 milionë USD, zënë vetëm 0,5% të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit (GDP), ndërsa aktivet totale të këtij sektori përbëjnë 1,3% të GDP-së.

Pjesëmarrësit në takim theksuan se vendi ofron potencial të madh për zhvillimin e sigurimeve. Faktorë mbështetës në këtë drejtim janë ritmet e larta të zhvillimit të sektorëve të veçantë si ai bankar, ndërtimi, infrastruktura, karburantet, etj. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për zhvillimin e madh të sektorit, shtrirjen në rajon dhe besimin e plotë që ka krijuar ky treg tek partnerët ndërkombëtarë. Qeveria është përpjekur që veprimtaria e siguruesve të bëhet sa më e suksesshme. Këtij qëllimi i ka shërbyer krijimi dhe konsolidimi në vijim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si institucion i pavarur rregullator dhe mbikëqyrës të një tregu ku të gjithë lojtarët të ndihen të njëjtë. Qeveria do të jetë në krah të biznesit në nismat për rritje dhe zhvillim të tregut, të cilat duhet të ecin përkrah synimit kryesor të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve nëpërmjet zbatimit të praktikave të mira të biznesit dhe shmangies së informalitetit që rëndon qytetarët. Cilësia e shërbimeve mbetet marketingu më i shkëlqyer zhvillimin dhe rritjen e tregut. Bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë do të ndikojë në rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të bizneseve në lidhje me rrëziqet që i shoqërojnë gjatë ciklit të aktivitetit të tyre.

Biznesi shtroi kërkesën për mbështetjen nga institucionet në nxitjen e tregut, kryesisht nëpërmjet shtimit të kërkesës për sigurim në proceset e liçensimit apo rinovimit të lejeve. Në këtë mënyrë, sektori i sigurimeve do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë në sektorët e tjerë të ekonomisë, nëpërmjet kërkesave të përcaktuara në kushtet dhe termat e kontratave të sigurimit. Shoqëritë diskutuan për rishikimin e aspektit ligjor, kryesisht në sigurimet e detyrueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës së tregut, për të reflektuar ndryshimet dhe zhvillimin e tregut. Nga shoqëritë u theksua rëndësia e transparencës nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe rishikimi i sistemit aktual të taksave bazuar në përvojën e vendeve të tjera.

U theksua mbështetja e Qeverisë për nismat e ndërmarra nga sektori në lidhje me sigurimin e përgjegjësive të bizneseve të ndryshme, nëpërmjet hartimit të proçedurave që lehtësojnë proçesin. Qeveria do të mbështesë zhvillimin e sigurimeve të jetës dhe shëndetit të lidhur ngushtë me incentivat e taksave. Mbështetje gjeti nga Qeveria edhe projekti për ngritjen e një programi në shkallë kombëtare të sigurimit ndaj katastrofave natyrore. Në zhvillimin e tregut dhe përqasjen e tij me standardet ndërkombëtare do të ndikojë edhe blerja nga shoqëri prestigjioze ndërkombëtare e aksioneve në disa shoqëri të sigurimeve dhe privatizimi i INSIG-ut i planifikuar të kryhet brenda këtij viti.