24 Prill 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Mars 2008

Zhvillimet  e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar - Mars 2008


Në tremujorin e parë të vitit 2008 tregu i sigurimeve njohu rritje në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar si në volumin e primeve të shkruara bruto me 14.54%  dhe 20.10% në numrin e kontratave të sigurimit.

Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 1,474 milionë lekë, shifër kjo 187 milionë lekë më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2007. Në këtë periudhë numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 128,247 ose thënë ndryshe 21,460 kontrata sigurimi të lidhura më shumë se në Janar- Mars 2007.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7%. 


Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 64% të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 674 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 9.11% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 12.61% të numrit të kontratave. Rritja e numrit të kontratave shpjegon hyrjen e makinave të reja në Shqipëri.

  • Në periudhën Janar - Mars 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 228 milionë lekë, ose 12.99% më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2007 ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 5.74% krahasuar me të njejtën periudhë.

  • Sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 36.71% në krahasim me Janar - Marsin 2007. Në të njejtën kohë ulje shënoi dhe numri i kontrave të sigurimit kufitar në masën 9%. Gjatë kesaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 36 milionë lekë.


Sigurimi Vullnetar

Në Janar - Mars 2008, vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 537 milionë lekë me një rritje prej 30.48% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 42.53%  rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 26.70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 277 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe rreziqet shtesë me rreth 49%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 22% dhe sigurimi i garancisë me 10%.

Në grupin "Zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë" ndihet një rritje prej 50% e numrit të kontratave të sigurimit dhe vetëm 3% rritje e volumit të primeve të shkruara bruto, që shpjegohet dhe me marjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla.

Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, me një rritje prej rreth 104% krahasuar me 3- mujorin e parë të vitit 2007, duke shprehur dhe ritmet e zhvillimit të këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive mbeten në nivele të ulta megjithë zhvillimin e tregut të ndërtimit në Shqipëri.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 3 mujorin e parë të vitit 2008 arritën në rreth 50 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 25.62% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 85% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet më numrin në rritje të vazhdueshme të personave që udhëtojnë jashtë vendit.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 102 milionë lekë me një rritje prej 49.55% krahasuar me Janar- Marsin 2007.

Peshën më të madhe prej rreth 75% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.


Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në tremujorin e parë te vitit  2008 ishte rreth 310 milionë lekë, ose 27.44% më pak se në Janar - Mars të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto  nga shoqëritë e sigurimit me rreth 60% dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 45%  krahasuar me 3- mujorin e parë të vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 261 milionë lekë, apo 85% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe Kasko dhe e ndjeshme paraqitet ulja e dëmit mesatar Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

                                                                  Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

81

88

Karton Jeshil

1,146

821

Kasko

74

87

 

Për çdo të interesuar, raporti Mujor Statistikor Janar - Mars 2008 përmban informacion më të detajuar në lidhje me tregun e sigurimeve. Tekstin e plotë të Raportit Statistikor Janar - Mars 2008 në versionin PDF dhe EXCEL mund ta gjeni tek rubrika Statistika & Publikime.

Shpresojmë, që ky publikim të jetë me interes për ju!