30 Prill 2008

Zhvillohet seminari mbi sigurimet e jetës

Zhvillohet seminari mbi sigurimet e jetës

Në datat 23 dhe 24 Prill 2008, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në bashkëpunim me Bankën Botërore zhvilloi në ambientet e Hotel Diplomat në Tiranë një seminar dy ditor mbi sigurimet e jetës. Lektor i këtij seminari ishte Z. Don Mc Isaac, ish Drejtor i Grupit të Sigurimeve në Bankën Botërore, me eksperiencë shumë të gjatë në fushat e sigurimeve dhe pensioneve.

Seminari trajtoi çështje të ndryshme që përfshinë:  rëndësinë e sigurimeve të jetës, etapa të zhvillimit të tyre në vende të ndryshme, tipe të ndryshme produktesh, forma të investimit për produktet afatgjata, rolin ndërmjetësve dhe domosdoshmërinë e kualifikimit të veçantë për shitjen e produkteve të sigurimit të jetës, probleme të taksave, çështje të rregullimit dhe mbikëqyrjes së sigurimeve të jetës, etj.

Temat e trajtuara nga eksperti McIsaac u ndoqën me interes nga përfaqësues të të gjitha shoqërive të jetës dhe jo-jetës dhe përfaqësues të AMF-së. Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues nga Autoriteti Bankar Qendror i Kosovës (ABQK).

Temat e trajtuara nga lektori McIsaac u shoqëruan me pyetje dhe komente të shumta nga ana e pjesëmarrësve, që nga ana e tyre sollën në aktivitet praktikat e deritanishme dhe alternativa të zhvillimit të sigurimeve të jetës në Shqipëri e Kosovë.

Me interes u trajtuan nga pjesëmarrësit shembujt në lidhje me përputhjen e aktiveve me përgjegjësitë, politikën e investimeve, vlerësimin e provigjoneve teknike, mundësitë e lehtësirave fiskale, veprimtarinë e ndërmjetësve dhe kontrollin nga ana e autoritetit. Shqyrtimi i këtyre shembujve nga grupet e formuara prej pjesëmarrësve shërbeu në të njëjtën kohë edhe si përmbledhje e konkluzioneve të seminarit.

Në përfundim të aktivitetit, u shpërndanë çertifikata për të gjithë pjesëmarrësit.



Për të parë galerinë e plotë të fotografive klikoni këtu.