8 Maj 2008

Rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2007

Në seancën plenare të datës 05 Maj 2008, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2007.
 
Rezoluta e Kuvendit vlerëson veprimtarinë e kryer nga AMF gjatë vitit 2007 në drejtimet e mëposhtme:

• përmirësimin e kuadrit ligjor për rregullimin dhe zgjerimin e tregut të sigurimeve, veçanerisht atyre të detyrueshme, hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore dhe rregulloreve, me qëllim nxitjen e produkteve të sigurimit të përgjegjësisë në sektorët e karburanteve, ndërtimit, minierave, koncensioneve dhe hotelerisë, mbështetur në kërkesat e tregut dhe në detyrimet që rrjedhin në kuadër të Planit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian;

• permbushjen me sukses të procesit të zgjerimit të prezencës së kapitalit të huaj në shoqëritë e sigurimeve gjatë vitit 2007;

• mbikëqyrjen e tregjeve financiare jo- bankare dhe të performancës së subjekteve që veprojnë në këto tregje nëpërmjet aplikimit të modeleve me bazë risku dhe të një sistemi të strukturuar të analizës financiare, duke synuar identifikimin, parandalimin dhe reduktimin e shkallës së rreziqeve që kërcënojnë stabilitetin e tregut dhe interesat e konsumatorëve;

• përgatitjen e akteve nënligjore për investimin e provigjoneve, praktikat e trajtimit dhe vlerësimit të dëmeve në sigurime, marrëveshjet e risigurimit, veprimtarinë e ndërmjetësve në sigurime;

• rritjen e shkallës së transparencës të operatorëve në treg nëpërmjet përmirësimit të sistemit të tyre të raportimit;

• vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe institucionet në vend, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në tërheqjen e praktikave më të mira;

• rritjen e shkallës së informimit të konsumatorëve për produktet e ofruara nga shoqëritë që ushtrojnë veprimtari në këto tregje, nëpërmjet mbështetjes nga një sistem elektronik i avancuar komunikimi;

• përmiresimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale nëpërmjet zhvillimit të një strukture efektive, politikave të përzgjedhjes së burimeve njerëzore dhe trainimit të vazhdueshëm të stafit.


Nëpërmjet Rezolutës, Kuvendi i Shqipërisë kërkon që, midis të tjerave, AMF gjatë vitit 2008 të përqëndrojë punën në drejtimet e mëposhtme:

• plotësimin dhe përmirësimin e mëtejshëm te kuadrit ligjor e nënligjor të institucionit, në përputhje me kërkesat e tregjeve, praktikat e vendeve të tjera dhe direktivat e Bashkimit Europian, me synim zgjerimin e mëtejshem të tregjeve të sigurimeve dhe skemave private të pensioneve;

• rritjen e masës dhe cilësisë së mbikëqyrjes së tregjeve financiare jo-bankare për të zvogëluar dhe parandaluar rreziqet ndaj stabilitetit te tyre;

• bashkëpunimin me operatorët e tregjeve financiare jo-bankare për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe marrjen e masave organizative me synim përmirësimin e raportit dëme/prime, uljen e shpenzimeve administrative dhe rritjen e efektivitetit te kapitalit;

• bashkëpunimin me Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë dhe Autoritetin e Konkurrencës për garantimin e një tregu të lirë, konkurrues e transparen,t në mbrojtje te interesave te klienteve;

• hartimin dhe miratimin e legjislacionit të ri, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare për sigurimin e detyrueshëm dhe për pensionet private suplementare;

• fillimin e punes për hartimin e strategjive, programeve dhe legjislacionit për mbrojtjen nga katastrofat;

• rritjen e bashkëpunimit me biznesin dhe përmirësimin e legjislacionit për të zgjeruar gamën e produkteve të siguruara prej tij, veçanërisht të produkteve te sigurimit vullnetar.


Për të lexuar tekstin e plotë të rezolutës, klikoni këtu: