28 Maj 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri në periudhën Janar-Prill 2008

Zhvillimet  e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri në periudhën Janar-Prill 2008

Në periudhën Janar - Prill  2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 178,124 duke shënuar një rritje prej rreth 16.64 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 2,054 milionë  lekë, shifër kjo 14.73 % më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8%. 


Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 62 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 917 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 6.54 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 9.65 % të numrit të kontratave.
  • Në periudhën Janar - Prill  2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 314 milionë lekë, ose 11.98 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007 ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 3.43 % krahasuar me të njëjtën periudhë.
  • Sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 41.94 % në krahasim me Janar - Prill 2007. Në të njëjtën kohë ulje shënoi dhe  numri i kontratave të sigurimit kufitar në masën 10.17 %. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 49 milionë lekë.


Sigurimi Vullnetar

Në Janar - Prill 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 775 milionë lekë me një rritje prej 36.95% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 36.67 % rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 31.87 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 394 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 51 %, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 24 % dhe sigurimi i garancisë me 13 %.

Në portofolin "Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 46 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe ulje me rreth 2 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet dhe me  marrjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla.

Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, duke zënë 24 % të sigurimeve të pronës, përgjegjësive dhe garancive, me një rritje prej rreth 102 % krahasuar me 4- mujorin e parë të vitit 2007, duke shprehur dhe ritmet e zhvillimit të këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje 32.98 % për volumin e primeve të shkruara dhe 50% rritje e numrit të kontratave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar .

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 4 mujorin e parë të vitit 2008 arritën në rreth 74 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 32.71 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 76.54 % të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet më numrin në rritje të vazhdueshme të personave që udhëtojnë jashtë vendit.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 157 milionë lekë me një rritje prej 61.43% krahasuar me Janar- Prill 2007.

Peshën më të madhe prej rreth 68.57 % në te ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.


Dëmet e paguara bruto 

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në katërmujorin e parë te vitit  2008 ishte rreth 404 milionë lekë, ose 21.48 % më pak se në Janar - Prill të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto  nga shoqëritë e sigurimit me rreth 59.83 % dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 40 % krahasuar me 4- mujorin e parë të vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 339 milionë lekë, apo 84.03 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe Kasko dhe e ndjeshme paraqitet ulja e dëmit mesatar Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

79

91

Karton Jeshil

1,011

677

Kasko

78

92

 

Për çdo të interesuar, raporti Mujor Statistikor Janar - Prill 2008 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.