24 Korrik 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Periudhën Janar - Qershor 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Periudhën Janar - Qershor 2008

Në periudhën Janar - Qershor 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 280,075 duke shënuar një rritje prej rreth 14.55% në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 3,210 milionë lekë, shifër kjo 18.19 % më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91.94 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8.06 %. 

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 60% të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 1,362 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 5.68% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 9.03% të numrit të kontratave.
  • Në periudhën Janar - Qershor  2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 468 milionë lekë, ose 12.66% më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2007 ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 12.48 % krahasuar me të njejtën periudhë.
  • Sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 32.64% në krahasim me Janar - Qershor 2007. Në të njejtën kohë ulje shënoi dhe numri i kontrave të sigurimit kufitar në masën 0.99%. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 83 milionë lekë. Efekti vjen nga ulja e tarifave të shitjes  të këtij lloj sigurimi sipas Urdhërit Nr.70 datë  20.07.2007 të Ministrit të Financave.

Sigurimi vullnetar

Në Janar - Qershor 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,297 milionë lekë me një rritje prej 45.95% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 23.69% rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 47.64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 676 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 47%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 30% dhe sigurimi i garancisë me 12%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 23% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 12% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet dhe me  marrjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla.

Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, duke zënë 30% të sigurimeve të pronës, përgjësive dhe garancive, me një rritje prej rreth 274% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2007, duke shprehur dhe ritmet e zhvillimit të këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një katërfishim në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinjerike.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 6-mujorin e parë të vitit 2008 arritën në rreth 125 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 25.32% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 77.09% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet më numrin në rritje të vazhdueshme të personave që udhëtojnë jashtë vendit.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 259 milionë lekë me një rritje prej 39.55% krahasuar me Janar - Qershorin 2007.

Peshën më të madhe prej rreth 69.85% në te ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në gjashtëmujorin e parë te vitit  2008 ishte rreth 640 milionë lekë, ose 17.60% më pak se në Janar - Qershor të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto  nga shoqëritë e sigurimit me rreth 46% dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 35.42% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 524 milionë lekë, apo 81.86% të totalit të dëmeve të paguara bruto..

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe Kasko dhe e ndjeshme paraqitet ulja e dëmit mesatar Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

                                                              Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

83

93

Karton Jeshil

797

666

Kasko

85

89

 

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar - Qershor 2008 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - qershor 2008 (në versionin PDF) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - qershor 2008 (në versionin EXCEL) klikoni këtu