25 Gusht 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri në periudhën Janar- Korrik 2008

Në periudhën Janar - Korrik  2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 358,574 duke shënuar një rritje prej rreth 18.99 % në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 4,018 milionë  lekë, shifër kjo 16.72% më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 86.96% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 13.04%. 

 

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 57.33 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 1,614 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 6.92 % krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 10.36 % të numrit të kontratave.
  • Në periudhën Janar - korrik 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 550 milionë lekë, ose 13.13 % më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2007 ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 7.89 % krahasuar me të njejtën periudhë.
  • Sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 38.30 % në krahasim me Janar - korrik 2007. Në të njejtën kohë rritje shënoi  numri i kontrave të sigurimit kufitar në masën 12.71 %. Gjatë kesaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 139 milionë lekë.

Sigurimi Vullnetar

Në Janar - Korrik 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,714 milionë lekë me një rritje prej 40.50% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 32.16 % rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 42.05 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 955 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 42 %, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 40 % dhe sigurimi i garancisë me 11 %.

Në portofolin "Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 33 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 16 % të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet dhe me  marjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla.

Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, duke zënë 40 % të sigurimeve të pronës, përgjësive dhe garancive, me një rritje prej rreth 60 % krahasuar me 7- mujorin e parë të vitit 2007, duke shprehur dhe ritmet e zhvillimit të këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje me 63 % në volumin e primeve të shkruara dhe 34% rritje e numrit të kontratave krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar .

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 7 mujorin e parë të vitit 2008 arritën në rreth 169 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 44 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 70 % të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet më numrin në rritje të vazhdueshme të personave që udhëtojnë jashtë vendit. Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 299 milionë lekë me një rritje prej 33.57% krahasuar me Janar- Korrik 2007.

Peshën më të madhe prej rreth 70.20 % në te ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

 

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në 7-mujorin e parë te vitit  2008 ishte rreth 732 milionë lekë, ose 14.13 % më pak se në Janar - Korrik të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto  nga shoqëritë e sigurimit me rreth 46.07 % dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 36.19 % krahasuar me 7- mujorin e parë të vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 602 milionë lekë, apo 84.70 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe Kasko dhe e ndjeshme paraqitet ulja e dëmit mesatar Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

           në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

83

94

Karton Jeshil

748

632

Kasko

82

92

 

Për çdo të interesuar, raporti Mujor Statistikor Janar - Korrik 2008 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesmarjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - korrik 2008 (në versionin PDF) klikoni këtu.
Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - korrik 2008 (në versionin Excel) klikoni këtu.