|
Viti 2006 shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të reformimit të mbikëqyrjes dhe rregullimit të sistemit financiar jobankar. Me qëllim reformimin e sistemit rregullator financiar jobankar, në muajin Tetor 2006 u realizua integrimi i enteve rregullatore-mbikëqyrëse për aktivitetin e tregjeve dhe subjekteve në fushën e sigurimeve, tregut të letrave me vlerë si dhe instituteve të pensioneve private suplementare. Në këtë kuadër, u realizua unifikimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS), Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV), si dhe Inspektoriatit të Instituteve të Pensioneve Private Suplementare (IIPPS), duke krijuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), si të vetmin institucion përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e të gjithë aktivitetit që i përket sektorit financiar jobankar në Shqipëri.
Të gjithë elementët përbërës të procesit të unifikimit të rregullatorëve në sektorin jobankar, duke përfshirë hartimin e strategjisë, krijimin e AMF, ngritjen e kapaciteteve institucionale, zgjedhjen e stafit të kualifikuar, si dhe vizionin e Autoritetit për të ardhmen, u realizuan me mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore. Ky bashkëpunim vazhdon në drejtim të përmirësimit të kuadrit rregullativ e mbikëqyrës dhe funksioneve të institucionit.
Avantazhet e Integrimit
Mbikëqyrja e integruar është një përqasje, e cila bazohet mbi supozimin që në një ekonomi globale, ndryshimet mbi institucionet që ofrojnë shërbime fianciare po bëhen gjithnjë e më tepër të vogla dhe shpesh herë shkaktojnë praktika rregullative kontradiktore, të cilat mund të lënë shteg për abuzime apo influenca negative në zhvillimin e tregjeve financiare. Në dekadën e fundit vihet re një tendencë e theksuar e unifikimit të rregullatorëve financiarë, karakteristikë kjo edhe për Europën Lindore.
Një strukturë plotësisht e integruar mbikëqyrëse, është më e mirë se një strukturë e fragmentuar për këto arsye:
- Integrimi siguron standarde dhe trajtime të njëjta rregullimi për sektorë të ndryshëm;
- Integrimi ofron sinergjitë midis fushave të ndryshme funksionale të rregullatorit si nga pikëpamja e personelit ashtu edhe e neutralitetit rregullator;
- Integrimi lehtëson më mirë bashkëpunimin ndërkombëtar.
Integrimi mund të jetë unifikim i plotë, apo në dy struktura rregullatore. Në Shqipëri u ndoq modeli i dy rregullatorëve financiarë (Banka e Shqipërisë dhe AMF), për t’u rivlerësuar në një kohë të dytë drejt një unifikimi të plotë.
Modelet e Integrimit
Eksperiencat e vendeve të zhvilluara kanë treguar se ekzistojnë dy modele të integrimit të institucioneve rregullatore të sistemit financiar:
- Integrimi Horizontal - struktura organizative e rregullatorit të unifikuar ndërtohet sipas funksioneve të proceseve mbikëqyrëse (mbikëqyrja on-site, off-site, licencimi),
- Integrimi Vertikal – struktura organizative ndërtohet sipas sektorëve (sigurimet, investimet, pensionet).
Në rastin e Shqipërisë, është zgjedhur “integrimi horizontal”, një kombinim i integrimit funksional në nivelet e larta të njësive organizative të strukturës së AMF-së, dhe brenda tyre një ndarje sektoriale.
|