Ervin Mete

Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, AMF

Z. Ervin Mete është Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga maji 2020. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.

Z. Mete ka shërbyer si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë (2013-2017), përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik. Gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësisht i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar, përfshirë ligjin "Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit " dhe ndryshimet në ligjin "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare ".

Z. Ervin Mete ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar dhe ka mbajtur pozicionin e koordinatorit kombëtar për Programin e Reformave Ekonomike me BE.

Z. Mete është lektor i së drejtës fiskale pranë Shkollës së Magjistraturës. Ai ka shërbyer si ekspert dhe konsulent i Bankës Botërore (2011), Komisionit Evropian (2008) dhe PNUD-it (2007).

Z. Ervin Mete mban gradën Master nga Universiteti i Harvardit, SHBA (LL.M. 2010) dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës - LSE (LL.M. 2009), ku është specializuar në të drejtë fiskale dhe të drejtë korporatash. Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate të shkëlqyera (2006) . Z. Mete zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.