Përshkrim i Shkurtër
Rreth Nesh
I krijuar në vitin 2006, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është institucion publik, i pavarur nga ekzekutivi, përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar jobankar dhe operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor. AMF raporton në Kuvend për aktivitetin e tij.
Fusha kryesore e veprimtarisë së Autoritetit është rregullimi dhe mbikëqyrja:
- e tregut të sigurimeve dhe operatorëve të tij;
- e tregut të titujve dhe operatorëve të tij;
- e tregut të pensioneve private vullnetare dhe operatorëve të tij;
- e veprimtarive të tjera financiare jobankare.
Funksioni i Autoritetit është që me anë të mjeteve ligjore, administrative dhe të informacionit, të mbrojë konsumatorët, si dhe të ruajë stabilitetin e transparencën në fushën e sigurimeve, titujve dhe pensioneve private vullnetare. Aktiviteti i AMF karakterizohet nga profesionalizmi, transparenca dhe standardi i lartë i shërbimit për të gjitha grupet e interesit.
Historiku
Viti 2006 shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të reformimit të mbikëqyrjes dhe rregullimit të sistemit financiar jobankar. Me qëllim reformimin e sistemit rregullator financiar jobankar, në muajin tetor 2006 u realizua integrimi i enteve rregullatore-mbikëqyrëse për aktivitetin e tregjeve dhe subjekteve në fushën e sigurimeve, tregut të titujve, si dhe instituteve të fondeve të pensioneve vullnetare. Në këtë kuadër, u realizua unifikimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS), Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV), si dhe Inspektoriatit të Instituteve të fondeve të pensioneve vullnetare , duke krijuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), si të vetmin institucion përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e të gjithë aktivitetit që i përket sektorit financiar jobankar në Shqipëri.
Misioni dhe Vizioni
Misioni
Misioni i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është të kontribuojë në nxitjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e sigurt të tregjeve financiare nën mbikëqyrje.
Vizioni
Ne synojmë nëpërmjet ngritjes së vazhdueshme të nivelit të rregullimit dhe mbikëqyrjes në treg, promovimin dhe nxitjen e standardeve të larta për mbrojtjen e konsumatorëve dhe integritetin e të licencuarve, rritjen e efikasitetit dhe stabilitetit të tregut financiar jobankar si dhe përmirësimin e shkallës së profesionalizmit.
Objektivat
Objekti i veprimtarisë së Autoritetit
Autoriteti ka si objekt të veprimtarisë:
- Rregullimin e veprimtarisë së subjekteve të mbikëqyrura, nëpërmjet hartimit të akteve të Autoritetit, të parashikuara nga Ligji nr. 9752, dt 03.07.2006 "Për Autoritetin e Mbikëqrjes Financiare", i ndryshuar dhe nga ligjet e fushës, si dhe botimin e udhëzimeve e materialeve shpjeguese;
- Sigurimin e mbikëqyrjes shtetërore mbi tregun e titujve, tregun e sigurimeve, skemat e pensioneve vullnetare dhe veprimtari të tjera financiare që mbikëqyren, të cilat rregullohen e funksionojnë në përputhje me ligjet në fuqi.
Në ushtrimin e këtyre kompetencave Autoriteti ka të drejta të plota për:
- Miratimin, lëshimin apo refuzimin e licencave për subjektet, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtari në njërin prej tregjeve financiare që mbikëqyren;
- Vëzhgimin dhe organizimin e mbikëqyrjes së subjekteve, që ushtrojnë veprimtari në njërin prej tregjeve financiare që mbikëqyren. Subjektet, qofshin këta individë apo persona, fizikë ose juridikë, që ushtrojnë veprimtaritë e përmendura në nenin 2 të Ligjit nr. 9752, dt 03.07.2006 "Per Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, i ndryshuar", në vijim do të quhen subjekte të mbikëqyrura;
- Ndjekjen e zbatimit të këtij ligji dhe të akteve të Autoritetit, të dala në zbatim të tij e të ligjeve të fushës dhe të akteve të Autoritetit, të dala në zbatim të tyre dhe zbatimin e masave shtrënguese.