Stabiliteti Financiar
Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar (GKSF):
Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar (GKSF) është krijuar në zbatim të përcaktimeve të nenit 30,
të ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare".
GKSF është një njësi këshillimore e cila asiston: në zhvillimin e politikave të përbashkëta, në
bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve të anëtarëve të këshillit sa herë që është e
nevojshme të kryhen inspektime në subjektet e mbikëqyrura; në ruajtjen, stabilitetin dhe zhvillimin e
tregjeve financiare në Republikën e Shqipërisë; në përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit të kontrollit
mbi pjesëmarrësit e tregjeve financiare si dhe siguron shkëmbimin e informacionit ndërmjet
anëtarëve të grupit.
GKSF i bën secilit prej përfaqësuesve rekomandime dhe propozime, që kanë si qëllim
përmirësimin e praktikave të plotësimit dhe zgjerimit të infrastrukturës ligjore për tregjet financiare.
Anëtarë të GKSF-së janë:
Ministri i Financave;
Kryetari i Bordit të Autoritetit;
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Pjesëmarrës të tjerë në mbledhjet e GKSF-së janë: Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të
Mbikëqyrjes Financiare; Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe
përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.
Me ftesë të GKSF-së, në mbledhjet e tij mund të marrë pjesë edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar
për Ekonominë dhe Financat dhe persona të tjerë.
Në kuadër të GKSF-së, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave kanë nënshkruar më 10 mars 2014 memorandumin "Për bashkëpunimin në drejtim të parandalimit dhe të
administrimit të situatave të jashtëzakonshme në veprimtarinë e sistemit financiar në Republikën e Shqipërisë."
Për të lexuar tekstin e plotë të marrëveshjes klikoni këtu