9 Prill 2014

Kryetarja e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, paraqet raportin mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2013 në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë

Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Enkeleda Shehi, paraqiti  sot pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat, të Kuvendit të Shqipërisë, raportin mbi aktivitetin e institucionit dhe zhvillimet e tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e AMF-së gjatë vitit 2013.

Në fjalën e saj, Znj. Shehi u përqendrua në dy drejtime kryesore: stabilizimin dhe nxitjen e zhvillimit të tregjeve të sigurimeve, letrave me vlerë dhe fondeve të pensioneve private dhe vullnetare, si tregje financiare nën mbikëqyrjen e AMF-së.

Në raportim u evidentuan prirja për zgjerim që këto tregje kanë pasur edhe gjatë vitit 2013 dhe u theksua tendenca për ndryshime strukturore në tregjet financiare që AMF mbikëqyr, ku peshën kryesore tashmë e kanë fondet e investimeve dhe jo më tregu i sigurimeve.

Znj. Shehi e cilësoi si mjaft të rëndësishëm zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të AMF-së, në përballimin e sfidave që sjell zhvillimi dinamik dhe struktura komplekse e tregjeve që AMF mbikëqyr, theksuar kjo dhe në rekomandimet e FSAP.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë e vlerësoi pozitivisht punën e AMF-së, të orientuar drejt nxitjes së qëndrueshmërisë së tregjeve financiare dhe forcimit të transparencës, duke u orientuar në objektiva të mirëpërcaktuara, në linjë dhe me rekomandimet e BB dhe FMN, në kuadrin e FSAP.

Ditën e mërkurë, në datën 16 prill 2014 është caktuar seanca për përgjigjet e pyetjeve që anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, do t’i drejtojnë AMF-së.

Për të lexuar fjalën e plotë të mbajtur nga Kryetarja e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, klikoni këtu.