Stabiliteti Financiar


Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar (GKSF):

Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar (GKSF) është krijuar në zbatim të përcaktimeve të nenit 30, të ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare".

GKSF është një njësi këshillimore e cila asiston:  në zhvillimin e politikave të përbashkëta, në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve të anëtarëve të këshillit sa herë që është e nevojshme të kryhen inspektime në subjektet e mbikëqyrura; në ruajtjen, stabilitetin dhe zhvillimin e tregjeve financiare në Republikën e Shqipërisë; në përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit të kontrollit mbi pjesëmarrësit e tregjeve financiare si dhe siguron shkëmbimin e informacionit ndërmjet anëtarëve të grupit.

GKSF i bën secilit prej përfaqësuesve rekomandime dhe propozime, që kanë si qëllim përmirësimin e praktikave të plotësimit dhe zgjerimit të infrastrukturës ligjore për tregjet financiare.

Anëtarë të GKSF-së janë:

Ministri i Financave;
Kryetari i Bordit të Autoritetit;
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Pjesëmarrës të tjerë në mbledhjet e GKSF-së janë: Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare; Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Me ftesë të GKSF-së, në mbledhjet e tij mund të marrë pjesë edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat dhe persona të tjerë.

Në kuadër të GKSF-së, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave kanë nënshkruar më 10 mars 2014 memorandumin "Për bashkëpunimin në drejtim të parandalimit dhe të administrimit të situatave të jashtëzakonshme në veprimtarinë e sistemit financiar në Republikën e Shqipërisë."

Për të lexuar tekstin e plotë të marrëveshjes klikoni këtu