Funksionet Kryesore

Me qëllim plotësimin e objektivave madhore të përcaktuara në ligj, AMF ushtron dy funksionet parësore të tij:

  • Funksionin Rregullativ
  • Funksionin Mbikëqyrës

Aktiviteti ynë rregullator përfshin përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ, në funksion të krijimit të një tregu të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Kjo nënkupton përgatitjen e politikave të caktuara në drejtim të amendimin e legjislacionit në fuqi si dhe hartimin e rregullorve e udhëzimeve që kanë të bëjnë me zbatimin në praktikë të detyrimeve ligjore nga subjektet e mbikëqyrura.

Aktiviteti ynë mbikëqyrës zbatohet përmes mbikëqyrjes off-site dhe kontrolleve on-site të aktivitetit të pjesëmarrësve të licencuar të tregut. Ky aktivitet synon ruajtjen e stabilitetit të tregut nëpërmjet parandalimit dhe ndërprerjes së shkeljeve ligjore me qëllim sigurimin e mbrojtjes së interesave të investitoreve, të siguruesve dhe personave të siguruar.

4 janë aspektet kryesore të aktivitetit të AMF në ushtrimin funksioneve dhe kopetencave të dhëna me ligj. Këto aspekte rregullojnë marrëdhëniet dhe detyrimet e entit rregullator me tregjet dhe subjektet e mbikëqyrura:

Funksionet

  • Licencimi - Të gjithë personat fizikë apo juridikë të cilët kërkojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin financiar jobankar në Republikën e Shqipërisë duhet të kalojnë nëpërmjet një procesi vlerësimi, aprovimi dhe licencimi nga ana e AMF. Me këtë ne synojmë lejimin e hyrjes në treg vetëm të atyre subjekteve të cilat përmbushin të gjithë kriteret e nevojshme për të ushtruar aktivitetin e tyre financiar në tregje të rregulluar. Këtë e bëjmë mbi bazën e parimit të drejtësisë, ndershmërisë dhe barazisë.   
  • Rregullimi dhe Standardet - Një kuadër ligjor i plotë dhe i harmonizuar për tregun financiar jobankar, standarde të përcaktuara qartë si dhe një rregullator me kompetenca dhe pavarësi institucionale janë thembra e akilit për suksesin e një enti rregullator eficient. Ne kemi ndërmarrë hapa konkretë dhe të vazhdueshëm në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e mundësive për një funksionim sa më normal të tregut. Gjithashtu, vendosja e standerdeve në treg nëpërmjet përafrimit dhe harmonizimit të legjislacionit kombëtar bazuar në standarded ndërkombëtare dhe Direktivat e Bashkimit Europian janë prioritet për ne.
  • Mbikëqyrja - Ne ushtrojmë funksionin tonë mbikëqyrës të tregjeve financiare jobankare përmes monitorimit të tregjeve dhe subjekteve që operojnë aty me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Ky proces përfshin një mbikëqyrje të kujdesshme të aftësisë menaxhuese, mjaftueshmërisë së burimeve financiare, eficiencës së sistemeve të kontrollit të brendhshëm të subjekteve të mbikëqyrura. Prioritet për ne është kalimi nga modeli i mbikëqyrjes tradicionale në atë me bazë risku, bazuar në praktikën e vendeve Europiane. Përqasja e re e këtij modeli fokusohet në identifikimin, matjen, parandalimin dhe eleminimin e shkallës së rreziqeve që kërcënojnë performancën e tregut si dhe mbështetet nga një sistem i ri elektronik i raportimit, që do të garantojë komunikim të shpejtë dhe të besueshëm, rritje të kapacitetit të analizës, përmirësim të sistemit të paralajmërimit dhe përfundimisht, rritje të cilësisë dhe efikasitetit të të gjithë veprimtarisë mbikëqyrëse të institucionit.
  • Zbatueshmëria - Bazuar në fuqinë që na jep ligji, ne kemi kompetencë të plotë për hetimin dhe marrjen e masave të zbatueshmërisë kundrejt subjekteve që shkelin kuadrin ligjor dhe rregullativ duke cënuar interesat e konsumatorëve. Në këtë kontekst, kemi një bashkëpunim të ngushtë me institucionet homologe si dhe me organet kompetente vendase apo të huaja të luftës kundër krimit të organizuar financiar. Gjithashtu, në planet tona afatmesme është edhe krijimi i skemave të ndryshme të kompesimit të konsumatorëve në rastet e pezullimit të aktivitetit apo falimentimit të subjekteve të licencuara për të operuar në tregjet nën juridiksion.