25 Gusht 2014

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-korrik 2014

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-korrik 2014 arritën rreth 6,386 milionë lekë, ose 36.56% më shumë se në periudhën janar-korrik 2013. Gjatë periudhës janar-korrik 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 551,200 me një ulje prej 0.07% krahasuar me periudhën janar-korrik të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 90.12% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.46% dhe veprimtarinë e Risigurimit me rreth 0.42%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 44.08% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 55.92% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-korrik 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,570 milionë lekë, ose 1.27% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2013.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-korrik 2014 arritën rreth 3,556 milionë lekë, ose rreth 74.26% më shumë se periudha janar-korrik 2013.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-korrik 2014, pati një rritje prej 84.80% të volumit të primeve të shkruara bruto. Numri i kontratave gjithashtu u rrit me 1.45% krahasuar me periudhën janar-korrik 2013.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-korrik 2014 pati një rritje prej 46.92% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 4.16% krahasuar me periudhën janar-korrik 2013.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-korrik 2014 pati një rritje me 47.85% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-korrik 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 10.38%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-korrik 2014 arritën rreth 2,803 milionë lekë, ose 7.41% më shumë se në periudhën janar-korrik 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.22% krahasuar me periudhën janar-korrik të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2014, patën rritje me rreth 6.64%  kundrejt periudhës janar-korrik 2013.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-korrik 2014, siguruan rreth 1,380 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 67.71% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 19.71% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-korrik 2014, vihet re një rritje prej 19.99% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 1.44% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-korrik të viti 2013.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-korrik 2014, arritën në rreth 488 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 14.82% në krahasim me periudhën janar-korrik 2013.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-korrik 2014, arritën rreth 604 milionë lekë, ose rreth 10.27% më shumë se në periudhën janar-korrik të vitit të kaluar.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-korrik 2014 u ulën me rreth 1.27% krahasuar me periudhën janar-korrik të vitit 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me mbi 1,299 milionë lekë, apo 82.77% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.



Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-korrik 2014, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-korrik 2014 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.